Dinamo, në 1 qershor fillon sezonin e ri
22/05/2005 Dita e djeshme ka shënuar fillimin e pushimeve për blutë. Në fakt këto pushime, kanë për të qenë shumë të shkurtra për lojtarët e Dinamos, pasi atyre iu duhet të fillojnë përgatitjen më shpejtë se të tjerët, sepse në 18 qershor fillojnë impenjimet në Kupën Intertoto. Për këtë, sipas njërit prej drejtuesve të klubit blu, Ismet Saliaj, lojtarëve të Dinamos iu komunikua se, në datën 1 qershor fillon përgatitja për në Kupën Intertoto dhe iu duhet që të jenë të gjithë të pranishëm. Është bërë një përjashtim vetëm për lojtarët e huaj të bluve, të cilëve iu është lejuar që të kthehen dy ditë me vonesë më datën 3 qershor, kjo sepse atyre iu është llogaritur koha e madhe, që iu duhet të shpenzojnë për të vajtur dhe për t’u kthyer nga kontinenti afrikan. Lojtarët afrikan janë nisur që dje për në shtëpitë e tyre. Gjithashtu, dje është larguar për në Itali edhe përgatitësi atletik i skuadrës, Stefano Neri. Përpara se të largoheshin me pushime, lojtarët dhe stafi teknik i skuadrës kanë marrë edhe këstin e fundit të pagesës, që klubi i tyre iu detyrohej për sezonin që sapo u mbyll.