UEFA, “OK” për stadiumet e Lushnjës dhe Elbasanit
22/05/2005 Pas kontrollit të bërë para pak ditësh në Shqipëri, UEFA ka licensuar dhe dy stadiume të tjera për ndeshje ndërkombëtare. Pas investimesh të shumta në mirëmbjatjen dhe rregullimin e terreneve sportive, Shqipërisë i janë shtuar edhe dy fusha të tjera, të cilat sipas qeverisë evropiane të futbollit janë në gjendje për të përballuar një ndeshje ndërkombëtare. Kështu pas stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", "Loro Boriçi" në Shkodër dhe "Niko Dovana" në Durrës, listës së stadiumeve të licensuar nga UEFA, i shtohen dhe stadiumi "Ruzhdi Bizhuta" në Elbasan dhe "Roza Haxhia" në Lushnje. Pas kontrollit që bëri një javë më parë përfaqesuesi i UEFA-s, austriaku Fahnler, këto ditë në zyrat e FSHF-së mbërriti zyrtarisht përgjigja pozitive për licensimin e këtyre dy stadiumeve, natyrisht duke lënë dhe disa detyra për t’u përmbushur, siç janë ndenjëset në stadium dhe disa probleme të tjera, që kanë të bëjnë me sistemin e licensimit në vendin tonë. Në përgjigjen e saj zyrtare të datës 20.05.2005, përcaktohet qartë se stadiumi "Ruzhdi Bizhuta" është i vlefshem për zhvillimin e ndeshjeve për kupën UEFA, ndeshje ndërkombëtare zyrtare për kombëtaret "A" dhe "U-21". Vetëm brenda dy viteve te fundit, Federata Shqiptare e Futbollit me ndihmën edhe të klubeve shqiptare të futbollit, ka arritur të siguroj licensimin e UEFA-s për 5 stadiumet kryesore në Shqipëri, duke i dhënë një shtrirje sa më të madhe gjeografike zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare në qytete të ndryshme.