E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fortuzi: Nuk kthehem në Shqipëri

22/05/2005  “Zogu” pohon se është mirë te Iraklis dhe as që e mendon për momentin kthimin në kampionatin shqiptar

Indrit Fortuzi nuk ka ndërmend të kthehet në kampionatin shqiptar. Dhe një gjë e tillë është mësuar pikërisht nga goja e vetë lojtarit shqiptar, i cili militon në kampionatin grek, me skuadrën e Iraklis së Selaniku. Futbollisti shqiptar, i cili la Tiranën pas fazës së dytë, për të provuar aventurën greke, duket se ndihet mirë në ekipin e qytetit të Selanikut. Kjo mendohet të jetë edhe arsyeja, që e motivon atë që të projektojë jetën e tij në vendin fqinjë. Që nga largimi i tij në ditët e para të vitit 2005 dhe deri më sot, është folur shumë për rikthimin e tij në kampionatin shqiptar. Ndërsa, kur sezoni futbollistik po vinte drejt fundit, ai u shndërrua në një objekt dëshirash, për disa skuadra të elitës së futbollit shqiptar. Edhe pse jo zyrtarisht nuk është pohuar, në radhët e Tiranës është ndjerë mungesa e futbollistit, i cili edhe pse nuk ka luajtur gjysmën e këtij edicioni, e ka emrin në vendet e lakmueshme, në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit tonë. Të interesuar për më shumë gola, bardheblutë janë të parët që shpresojnë rikthimin e “Zogut” në gjirin e tyre. Por, ata nuk janë të vetëm. Këtë këtë herë, duket se do të duhet të përballen edhe me konkurencën e Partizanit. Edhe pse zyrtarisht, presidenti Xhani e ka mohuar, burime të besueshme brenda klubit pohojnë se, Suleman Mema, një i njohur i vjetër për Fortuzin dhe më i mundshmi për të gjetur me të një gjuhë të përbashkët, ka kontaktuar me Zogun, duke i bërë një ofertë konkrete, për të luajtur sezonin e ardhshëm te të kuqtë. Por, ka qenë përgjigja e Fortuzit ajo që ka lënë me gisht në gojë të gjithë. Nëpërmjet një kontakti telefonik, ai ka mohuar në mënyrë kategorike kthimin në kampionatin shqiptar për sezonin e ardhshëm. “Mund t’u siguroj se, këto janë vetëm zëra të merkatos”, është shprehur dje Fortuzi. “Dëshiroj që të them se ndihem shumë mirë këtu në Greqi dhe në këtë kampionat, dhe nuk dua që të kthehem në kampionatin shqiptar”. Më pas ka folur edhe ai, është treguar i prerë në lidhje me pyetjen, për konktaktet e mundshme nga disa drejtues të dy skuadrave të lartpërmenduara. “Asgjë nuk është e vërtetë. Po e them me shumë sinqeritet dhe duhet të më besoni, unë asnjëherë nuk kam pasur kontakte me presidentin Xhani ose me Memën për të kaluar te Partizani”. Fortuzi ka mundësi të rinovojë kontratën e tij me Iraklisin, me të cilën në këto katër muaj ai ka mundur të fitojë një vend, si titullar në skuadër dhe ka shënuar 5 gola.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›