E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dinamo në Intertoto

02/05/2005  Pas javës së 33-të të Superligës, Dinamo e shikon veten të konsoliduar në vendin e tretë. Blutë megjithëse zhvilluan një nga ndeshjet e tyre më të dobëta, arritën që të marrin tri pikët kundër Laçit, dhe duke shfrytëzuar humbjen e Vllaznisë në Elbasan, u shkëputën me katër pikë nga ndjekësit e tyre. Kështu që kur kanë ngelur edhe tre javë për të arritur finishin e tij ky sezon futbollistik, dinamovitët e shohin veten vetëm një hap larg intertotos. “Pas humbjes së Vllaznisë jemi shumë afër objektivit tonë, ka pohuar trajneri i Dinamos, Agim Canaj menjëherë pas ndeshjes kundër Laçit. Tashmë kryesorja është se çdo gjë varet nga ne”. Drejtuesit e klubit blu kanë shumë kohë që kanë deklaruar, se synojnë vendin e tretë për të luajtur në Intertoto. Pas kësaj jave, mesa duket Dinamo do të luajë në këtë kompeticion kështu që përpara drejtuesve dinamovit dalin probleme të reja. Intertoto fillon aktivitetin e saj që në 18 qershor, ndaj edhe blutë duhet të fillojnë më shpejtë se skuadrat e tjera konfigurimin e skuadrës për të ardhmen. Në fakt presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, i ka hedhur hapat e para në këtë drejtim, duke nënshkruar para disa ditësh një kontartë të re, me sulmuesin më në formë në këto momente të bluve, El Haxhi Gudjabi. Por, një fillim i shpejtë i impenjimeve do të thotë një periudhë e shkurtër shplodhjeje për lojtarët dhe një ngarkesë më të madhe se e zakonshmja. Kjo ngarkesë, që të përballohet kërkon një grup të madh lojtarësh, të cilët duhen të jenë të gatshëm për të luajtur në formacionin bazë. Në ndeshjen e së shtunës u pa qartë, që Dinamo nuk ka një kontigjent të madh me lojtarë të tillë. Mjaftuan disa mungesa të lojtarëve titullar dhe skuadra humbi ritmin e saj dhe u paraqit shumë e dobët. Nga ana tjetër, trajneri i bluve nuk mund që të ndërhynte në zhvillim e lojës me lëvizjet e tija, sepse kishte në dispozicion në stol vetëm dy mbrojtës dhe katër lojtarë, të marrë nga të rinjtë e klubit sa për të plotësuar numrin. Ndaj, duhet që blutë të fillojnë të mendojnë që tani për lëvizjet e ardhshme, nëqoftëse nuk duan që të përsërisin edhe në sezonin e ri ç’ka ka ndodhur vitet e fundit. Se një gjë duhet që të jetë e qartë, i mirë është vendi i tretë, por për emrin e Dinamos është shumë pak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›