Hitaj: FSHF nuk është polici
02/05/2005 Ndeshja e zhvilluar në “Qemal Stafa” ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, dhe mbi të gjitha humbja e skuadrës së kuqe me rezultatin e thellë 4:0, ka përsëritur edhe një tjetër herë veprimin e trajnerit të të kuqve, Sulejman Mema, i cili nuk është paraqitur në “sallën e konferencave” për t’u prononcuar për ndeshjen. Edhe pse rregullorja e përcaktuar nga FSHF i detyron të gjithë trajnerët të paraqiten në sallën e konferencës, kjo nuk duket se përfillet shumë nga trajneri i të kuqve, i cili në më shumë se një rast nuk ka dashur të shprehet për shtypn në përfundim të ndeshjeve. Lidhur me një fakt të tillë, i kemi kërkuar edhe një mendim shefit të sektorit të garave pranë FSHF-së, Hito Hitaj, i cili është mjaftuar me faktin se FSHF-ja është një organ që vetëm nxjerr rregullore, por që nuk merret shumë me zbatimin e tyre. Sipas tij, FSHF nuk e ka për detyrë të kontrollojë se çfarë ndodh me trajnerët në përfundim të ndeshjeve dhe sipas tij duhet të jetë media, ajo që duhet të evidentojë të tilla raste. “FSHF nuk është police. Ne nxjerrim rregullore, që duhen zbatuar nga skuadrat. Gjithsesi është në kompetencat e klubeve për të mbajtur qëndrimet e tyre në lidhje me shtypin”,- ka deklaruar shefi i sektorit të garave, Hito Hitaj. Një prononcim ky vërtet i çuditshëm. Edhe pse organi, pjesë e të cilit ai është nxjerr rregulla që i detyrojnë trajnerët të flasin para shtypit në përfundim të ndeshjeve, po i njëjti organ nuk e vret shumë mendjen nëse një gjë e tillë zbatohet ose jo nga trajnerët e skuadrave tona. Hitaj justifikohet me faktin, se nuk ka personel të mjaftueshëm për të survejuar të gjitha fushat në të cilat luhet futboll. Por, edhe kjo duket diçka e çuditshme për të mos thënë më shumë se kaq. Dhe vetvetiu shtrohet një pyetje e thjeshtë. Si mund të nxirren rregulla ose detyrime për të gjithë trajnerët, për zbatimin e të cilave nuk merret askush? Edhe nëse nuk do të kishte personel të mjaftueshëm, dihet se FSHF ka vëzhguesit e saj, të cilët mund të merren edhe me një çështje të tillë. Dhe është me të vërtetë e habitshme se si një gjë e tillë i kërkohet medias. Sipas Hitajt, punën e organit të tij duhet ta mbulojë media. Duhet që kjo e fundit të përcjellë në Federatë këtë shqetësim dhe kjo e fundit të proçedojë më tej, duke i gjobitur trajnerët e “pabindur”. Shpresojmë, se kjo frazë e shefit të sektorit të garave pranë FSHF-së, Hito Hitaj të ketë qenë thjesht një shaka sa për të kaluar kohën. Nëse shteti ka ligjet dhe rregullat e tij, që duhen zbatuar dhe ka një polici, e cila merret me survejimin e atyre që i shkelin këto ligje dhe rregulla, pse FSHF duhet të mjaftohet vetëm me nxjerrjen e regullave dhe jo me zbatimin e tyre?