E Hënë, 2 Nëntor 2026

Starova: Titulli, mungon vetëm matematika

02/05/2005  Trajneri i Tiranës komenton ndeshjen derbi, ku pranon se fitorja e skuadrës së tij i ka dhënë shumë kënaqësi

Një fitore bindëse në derbin me Partizanin e ka afruar Tiranën tashmë akoma më shumë titulli i 22-të kampion, në historinë e këtij klubi. Të renditur të parët në krye të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 78 pikëve në 33 ndeshje, me fitoren e të shtunës bardheblutë kanë mundur të ruajnë distancën prej 8 pikësh me ndjekësin më të afërt të tyre, Elbasanin, i cili gjithashtu mori një fitore të ngushtë 1-0 përballë Vllaznisë. E tani, kur duhen edhe tre javë që të mbyllet sezoni 2004-2005, Tiranës i mjafton vetëm një pikë, për të siguruar matematikisht titullin kampion. Gjithçka tashmë duket e sigurtë, vetëm një mrekulli mund të ndryshonte këtë fat, edhe pse ndeshjet në vazhdim të kryesuesve do të jenë përballë skuadrave me emër në futbollin shqiptar, që kanë bërë paraqitje të mira në këtë sezon. Tentativa e parë e bardhebluve për të siguruar pikën e kërkuar do të jetë javën e ardhshme kundër Teutës, në shtëpinë e kësaj të fundit. Gjithsesi, për momentin te Tirana pak mendojn për këtë ndeshje, ndërkohë që 24 orë pas ndeshjes me Partizanin, ata ia kanë kushtuar shijimit të fitores së madhe në derbi dhe relaksimit të plotë. Takimi i të shtunës në “Qemal Stafa” ishte befasues, për vetë faktin se ishte menduar që rezistenca e të kuqve do të ishte më e madhe nga sa u pa. Por, fusha tregoi një fitore bindëse të skuadrës së Starovës. Menjëherë pas ndeshjes, ka qenë vetë trajneri Starova, ai që ka shprehur kënaqësinë për këtë takim “Në përgjithësi jam i kënaqur, jo vetëm nga rezultati, por edhe nga loja e futbollistëve të mi në këtë ndeshje, - tha Starova.- Morëm një fitore bindëse, e cila ishte e domosdoshme. Një gjë të tillë e arritëm duke treguar një lojë të mirë, ku të gjithë lojtarët i zbatuan detyrat e tyre”. Ndërsa me modesti e ka quajtur të mirë lojën Partizanit, edhe pse rezultati flet totalisht në favor të skuadrës së tij. “Fitorja jonë merr akoma dhe më shumë vlera, kur kujtojmë se ajo u arrit përballë një rivali historik, si Partizani, - vazhdoi më tej komentin e tij trajneri i Tiranës. - Kundërshtarët luajtën një ndeshje të mirë, kur mendon se problemet e tyre kohët e fundit kanë qenë të shumta. Meritë në triumfin tonë ka ajo që, ne shfrytëzuam gabimet e pakta të tyre”. Numri “Një” i stolit të favoritëve, për titullin e këtij sezonin ka preku më tej edhe moton, që ka frymëzuar Tiranën në këto 33 javë të kampionatin tonë. “Me meritë udhëheqim tabelën e klasifikimit, që nga filimi i kampionatit. Dhe vazhdimisht kemi patur vetëm një moto, që na ka ndihmuar të hedhim hapa të sigurtë. Të gjitha ndeshjet, apo të gjithë kundërshtarët i kemi vlerësuar një lloj”. Por, Starova nuk pranon ta quajë Tiranën kampione, pa siguruar edhe atë pikë të vetme, që i mungon matematikës. Dhe për këtë ai garanton, se javët e ardhshme do të jenë impenjuese për Tiranën në arritjen e këtij objektivi. “Në ndeshjen e radhës do të luajmë për sigurinë matematike të titullit”, - ka premtuar Starova në mbyllje të prononcimit të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›