Flamur Hysi prezantohet në Sarandë
02/05/2005 Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Sarandë, Flamur Hysi, ka nisur fushatën e tij në këtë qytet. Hysi, që është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, ka zhvilluar disa takime gjatë fundjavës në Sarandë, ku do të marrë pjesë edhe në Festën e Pashkëve Ortodokse. Në takimin me strukturat drejtuese të LSI-së në Sarandë, ai përcaktoi axhendën e organizimit të fushatës së tij elektorale. Gjithashtu, Hysi ka zhvilluar një bisedë me një grup emigrantësh, që kanë ardhur të festojnë Pashkët në Sarandë. Gjatë këtij takimi, Hysi kërkoi prej emigrantëve në Greqi, që ta mbështesin në kandidimin e tij përballë deputetëve të importuar. Në këtë mënyrë, ai ka kundërshtuar emrin e paraqitur nga partia Demokartike dhe Partia Socialiste. Në qëndrimin e mbajtur Hysi ka theksuar se, qytetit të Sarandës i duhet një deputet që ka lindur e jetuar në të. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, do të paraqiten dhe mbështeten nevojat që ka ky qytet. Hysi është shprehur se programi i Lëvizjes Socialiste për Inbtegrim, është shumë ambicioz dhe vetëm njerëzit që do të kandidojnë për të, do të arrijnë që të garantojnë zhvillimin e shqipërisë dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, prej strukturave të LSI-së në këtë degë, është bërë e ditur se fushata do të jetë tepër e fortë dhe do të kërkohet që LSI të fitojë në mazhoritar, dhe nuk do të mendohet vetëm për proporcionalin. Në ditët e fundjavës në Sarandë, të tre kandidatët kanë zhvilluar takime, duke kërkuar votën e elektoratit.