E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekerem Spahia konkurent për LZHK në Kukës

02/05/2005  Pretendenti i fronit nis fushatën në Veri të vendit

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ka prezantuar dje kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekerem Spahia, si kandidatin e saj në Kukës. Gjatë diskutimeve, krerët e LZHK-së kanë theksuar se kjo lëvizje pretendon që të jetë ndër forcat kryesore të vendit, pas përfundimit të zgjedhjeve të 3 korrikut. Figura e Ekerem Spahisë, është konsideruar si një politikan që ka dhënë një kontribut me vlera gjatë katër viteve. Kreu i LZHK-së ka kërkuar në Kukës mbështetjen e elektoratit, duke vlerësuar se LZHK-ja do të jetë nga forcat që do të japë ndryshime konkrete, si për zhvillimin e vendit ashtu dhe për mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve kudo ku janë në botë. Nga ana e tij, Ekerem Spahia ka kritikuar qëndrimet që kanë mbajtur të dy forcat e mëdha në drejtimin e vendit, duke theksuar nevojën për ndryshim, në mënyrë që për Shqipërinë të mos paraqiten vetëm raporte negative prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i kësaj Lëvizjeje, Leka Zogu, është shprehur se LZHK do të bëjë koalicione paszgjedhore me partitë që, në programin e tyre do të kenë mbrojtjen e interesave kombëtare. Ndërsa është përjashtuar një formulë bashkëpunimi para zhvillimit të zgjedhjeve të 3 korrikut. Pretendenti i fronit mbretëror, Leka Zogu, është shprehur se do të jetë vetë në drejtim të fushatës elektorale për këtë forcë politike, ku do të kërkojë mbështetjen e elektoratit të tij. Gjithashtu, është deklaruar se në thelb fushata nuk do të ketë kërkesën për rikthimin e monarkisë, por miratimin e një programi që ka si qëllim zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›