E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo në kërkim të pikës për titull

www.albania-sport.com - Dinamos i duhet vetëm një pikë për të fituar titullin e 18-të në historinë e saj 60-vjeçare. Trofeun e fundit blutë e fituan në sezonin 2007-2008 në “finalen” e javës së fundit kundër Partizanit (2-1), ndërkohë që në këtë sezon kanë mundësi ta fitojnë atë minimalisht katër javë përpara përfundimit të edicionit 2009-2010.

Ndeshja e radhës është kundër Teutës, ndaj së cilës fitoi 1-0 në Tiranë në fazën e parë (java 3-të) dhe 3-1 në fazën e dytë në Durrës (java e 14-të).

Duke parë statistikat midis tyre, por dhe faktin se Teuta është ekipi i tretë më i dobët në transfertë (8 pikë nga 39 të mundshmet), të paktën një pikë nga ana e Dinamos në “Qemal Stafa” duket e sigurt, çka do të përkthehej edhe titullin e 18-të matematikor, përpara se “kupa me veshë” e kampionatit shqiptar t’i dorëzohej kapitenit Arjan Pisha në ndeshjen e fundit me Besën, më 15 maj.

Ndaj Teutës (35 pikë), do të mungojë kapiteni Arjan Pisha (i pezulluar), ndërkohë që durrsakëve do t’u mungojë mbrojtësi Fatmir Caca.

Gjithsesi, trajneri i Teutës, Ylli Shehu, do të ketë në dispozicion mbrojtësi Erjon Dushku dhe mesfushori Erald Deliallisi.

Në fakt, Dinamo (58 pikë, 14 më shumë se Tirana e vendit të dytë) ka pasur më shumë se një mundësi për ta mbyllur kampionatin, por formcioni i Shkëlqim Muçës ka bërë një fazë të tretë deri tani shumë të shëmtuar.

Në gjashtë ndeshje Dinamo ka regjistruar 4 humbje, 1 fitore e 1 barazim, duke grumbulluar vetëm 4 pikë nga 18 të mundshmet, çka po të merrej parasysh renditja vetëm për këtë fazë është ekipi i tretë më i dobët pas Gramozit (1 barazim në 6 ndeshje) dhe Besës (1 fitore në 6 ndeshje).

Dinamo është duke bërë një fazë të tretë jo të pëlqyeshme, kur në gjashtë ndeshjet e para ka arritur vetëm një fitore me Gramozin e vendit të fundit (1-0).

Në pesë ndeshjet e tjera, blutë - të cilët e kanë të sigurt titullin kampion (kanë +14 pikë më shumë se vendi i dytë, Tirana, 44 pikë)- kanë barazuar 1-1 me Kastriotin, dhe kanë humbur me Skënderbeun (4-3, në Korçë), Flamurtarin (2-1, në Vlorë), Vllazninë (1-2, në Tiranë) dhe së fundi humbi 2-1 me Apoloninë në Fier.

Blutë janë eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë, me dy humbje në çerekfinale ndaj Shkumbinit: 2-1 në Peqin dhe 0-1 në Tiranë.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 20 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›