Kush do ta fitojë “Këpucën e artë”?

www.albania-sport.com - Si rrallëherë pas 28 javësh janë tri pretendentë me numër të njëjtë golash për fitimin e “Këpucës së artë” të kampionatit: Elis Bakaj (Dinamo), Daniel Xhafaj (Besa) dhe Mladen Bërkiç (Apolonia) kanë shënuar nga 13 gola.
Të tre këta të ndjekur nga të tre të tjerë, po në të njëjtën kuotë golash, 10: Arlind Nora (Laçi), Fatjon Sefa (Dinamo), dhe Migen Memelli (Flamurtari). Rreshti i tretë i golashënuesve ka vetëm kroatin e Skënderbeut, Milain Guerrib me 9 gola.
Nga të shtatë lojtarët kandidatë potencialë për trofeun individual, vetëm Migen Memelli e ka fituar atë më parë: ky i fundit është edhe golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar (22 gola me fanellën e Tiranës).
Gjithsesi, në sezonin aktual të Superligës ndodhet edhe Vioresin Sinani, 3-herë fitues i trofeut në gashtë kampionatet e fundit: 2003-2004 (Vllaznia, 36 gola), 2006-2007 (Tirana, 23 gola) dhe 2007-2008 (Vllaznia, 20 gola), por sulmuesi që e nisi me edicionin me Vllazninë (1 gol) dhe e vazhdon pjesën e dytë me Besën (3 gola) ka shënuar në total 4 gola deri tani.
Elis Bakaj është një kandidat potencial për ta fituar “Këpucën e artë”, por sulmuesi i Dinamos nuk shënon qysh nga humbja e Dinamos në Korçë (4-3), pas këtij takimi lojtari i Kombëtares shqiptare nuk shënon prej katër ndeshjesh (Kastrioti, Flamurtari, Vllaznia dhe Apolonia).
Sa për statistikë: lojtari i fundit i Dinamos, që ka mundur të fitojë Këpucën e artë daton gati 35 vjet më parë, në sezonin 1975-1976, kur Ilir Përnaska shënonte atë sezon 18 gola.
Edhe një e dhënë tjetër: Dinamo ka 4 lojtarë që e kanë fituar “këpucën e artë”: Ilir Përnaska (6 herë rresht, nga sezoni 1970-1971 deri në sezonin 1975-1976), Saimir Dauti (1965-1966, 13 gola), Stavri Lubonja (1959, 11 gola) dhe Skënder Jareci (1955, 23 gola).
Sulmuesi i Besës, Daniel Xhafaj, është një tjetër makinë golash: vlonjati ka 13 nga 29 golat e realizuar nga kavajasit gjatë 28 javëve të para.
Në dy sezonet e fundit te Tirana, 2007-2008 dhe 2008-2009, Xhafaj shënoi përkatësisht 8 dhe 10 gola. Gjithsesi, Xhafaj ka qenë disa herë kandidat për fitimin e “Këpucës së artë”.
Kështu në sezonin 2003-2004, Xhafaj shënoi 21 në radhët e Teutës (“Këpucën e artë’ e fitoi Sinani, me 23 gola, kampionati atëherë ishte me 36 javë); në edicionin 2004-2005 realizoi 21 gola me fanellën e Teutës ishte pretendent për fitimin e “Këpucës së artë” (e fitoi Bylykbashi i Partizanit, me 24 gola) dhe në sezonin 2006-2007, po me Teutën shënoi 20 gola (“Këpucën e artë’ e fitoi Sinani, me 23 gola).
Te lista e artë e fituesve të “Këpucës së artë” ka vetëm një lojtar fitues dhe ky është Dashnor Bajaziti, aktualisht zëvendësministër i Sporteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Bajaziti i famshëm e ka fituar atë në sezonin 1980-1981 (12 gola) dhe 1982-1983 (16 gola).
Goli i fundit i Daniel Xhafës është ai në humbjen 3-2 të Besës me Teutën.
Sulmuesi i Apolonisë, Mladen Bërkiç (po 13 gola), ka shansin të bëhet golashënuesi i parë i huaj që mund të fitonte “Këpucën e artë”. Së fundi këtë e kishte provuar pa sukses, du ish-sulmuesit e Dinamos, kroati Pero Pejiç dhe senegalezi El-Haxhi Gudjabi, por golashënues të spikatur kanë qenë edhe kongolezi Sasa Delain dhe zimbaviani Xhanuari Ziambo.
Për herë të fundit, Mladen Bërkiç shënoi në ndeshjen e fituar 2-1 me Dinamo, ku sulmuesi serb shënoi të dy golat për Apoloninë.
Apolonia ka një traditë në fitimin e “Këpucës së artë”, më parë atë e ka fituar dy herë legjenda Kujtim Majaci: 1985-1986 (20 gola) dhe 1989-1990 (19 gola).
Memelli, 10 gola këtë sezon (1 me Tiranën, 9 me Flamurtarin) ka rigjetur dashurinë me golin dhe realizoi një dopjetë në ndeshjen e fundit, në fitoren 3-0 kundër Kastriotit, por dhe në fitoren e Besës (2-1).
Sulmuesi shqiptar Migen Memelli, me 22 golat e realizuar me fanellën e Tiranës në sezonin e kaluar, renditet i 32-të në botë përsa i përket numrit të golave të realizuar gjatë vitit 2009.
Statistika është e Institutit Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave në Futboll, IFFHS, që ka publikuar edhe listën e golashënuesve më të mirë në top-kampionateve për vitin 2009, duke pasur në konsideratë 60 kampionate të përfunduara nga vende të ndryshme të botës.
Golashënuesi më i mirë në botë është austriaku Marc Janko i Red Bull Salzburg, autor i 39 golave në 34 ndeshje, i ndjekur nga uruguaiani i Atletico Madrid, Diego Forlan me 32 gola në 33 ndeshje.
GOLASHËNUESIT E KATEGORISË SUPERIORE
13 gola: Elis Bakaj (Dinamo), Daniel Xhafaj (Besa), Mladen Bërkiç (Apolonia)
10 gola: Arlin Nora (Laçi), Fatjon Sefa (Dinamo), Migen Memelli (Flamurtari)
9 gola: Milain Guerrib (Skënderbeu)
8 gola: Bekim Bala (Vllaznia), Oriand Abazaj (Kastrioti), Gjergji Muzaka (Tirana)
7 gola: Ilirjan Caushaj (Shkumbini)
...
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 20 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili