Dinamo në kor: “Kundër Modricës, për kualifikim”

Është mundur befasisht ndeshjen e parë në Tiranë, por të gjithë në shtëpinë blu besojnë të përmbysja e te kualifikimi.
Mesfushori i Dinamos, Igli Allmuca, u shpreh se skuadrën e tij e pret një ballafaqim i vështirë me Modricën në Zenicë. "Megjithatë, - tha 27-vjecari për "Metropol Sport", - kjo nuk do të thotë se ne do të hyjmë pesimist në fushë". Dinamo humbi ndeshjen e parë në Tiranë me rezultatin e pastër 0-2.
"Unë, - shton ish-lojtari i Tiranës, - mendoj se kemi shanse për t'u kualifikuar. Rikthimi i Kotorit? Është një portier me përvojë dhe vlerat e tij i dinë të gjithë".
Mbrojtësi i djathtë i Dinamos, 29-vjecari Elvis Sina, një nga blerjet e bluve në merkaton e kësaj vere, pohoi se Dinamo do të luajë të gjitha kartat kundër Modricës, pasi nuk ka c'të humbasë. "Modrica nuk është më një kundërshtar i panjohur për ne", - tha ish-lojtari i Tiranës, për gazetën "Sporti Shqiptar".
"Kuptuam forcën e tyre dhe mënyrën e lojës që ata kanë. Shpresojmë dhe te kualifikimi, pasi futbolli na ka mësuar se është i paparashikueshëm", - theksoi Sina (310 ndeshje në Superligë, 9 gola), për të cilin Dinamo, është skuadra e tretë në karrierën e tij, pas Tiranës e Elbasanit.
Edhe kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha, ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë blu, është shumë optimist. "Gjatë gjithë javës kemi punuar për të paraqitur një Dinamo tjetër në përballjen e kthimit ndaj boshnjakëve", - tha 31-vjecari Pisha për gazetën "Sport Ekspres".
"Të gjithë besojmë se Dinamo do të jetë ndryshe të mërkurën, në Zenica. Të themi të drejtën, Modrica na mundi vetëm duke ardhur dy herë në portën tonë, një një kohë që ne humbën një mori rastesh. Mendoj se do të jemi më efikasë në sulm", - tha ish-mbrojtësi i Elbasanit e Tiranës, i cili është aktivizuar në 363 ndeshje në Superligë, nga debutimi i tij në sezonin 1993-1994 me Elbasanin.
Në të njëjtën linjë është edhe mesfushori Ilirjan Caushaj, i cili u huazua te Teuta për pjesën e dytë të sezonit. "E di qe kemi pak mundësi, gjithsesi ne kemi besim se mund të bëjmë përmbysjen",- tha 21-vjecari për gazetën "Panorama Sport".
Dinamo, që shkarkoi pas humbjes 2-0 në ndeshjen parë trajnerin argjentinas Marselo Havier Zuleta, nuk do të drejtohet në ndeshjen kundër Modricës nga trajneri i ri i saj, kroati Zlatko Dalic, por nga ndihmëtrajneri Artan Mërgjyshi.
Takimi Modrica-Dinamo do të luhet ditën e mërkurë në orën 20:00 në stadiumin "Bilino Pelja" të Zenicës dhe jo në stadiumin "Maxima', ku Modrica i zhvillon ndeshjet e saj në kampionat.
Ndeshja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Uellsi, me kryesor Simon Li Evans, ndërsa gjyqtarë i katërt është Daren Adie.