E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dinamo në “skaner”

10/05/2005  Blutë kanë analizuar ndeshjen e kaluar dhe kanë përcaktuar objektivat për sfidën e radhës, kundër Teutës

Përpara se të fillojë seanca e parë stërvitore e javës, trajneri i Dinamos, Agim Canaj ka kryer një analizë të ndeshjes së të shtunës me Lushnjën. Trajneri i bluve ka qenë i pakënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij në këtë ndeshje. Megjithëse i pranoi vështirësitë që vinin nga mungesat e shumta, Canaj ka qenë mjaft kritik ndaj futbollistëve të tij. Trajneri dinamovit evidentoi një sërë problemesh taktike, por më tepër u ndal në mungesën e një koordinimi të lëvizjeve të skuadrës. “Edhe në këtë ndeshje nuk jemi rikthyer ne ritmin që kemi pasur më parë”, iu theksoi Canaj lojtarëve të tij. Trajneri i Dinamos kërkoi më tepër përqëndrim nga skuadra duke analizuar momente të veçanta të ndeshjes së të shtunës dhe duke vënë në pah të metat e organizimit të lojës në këtë ndeshje. Më pas ai ka bërë një rezume të programit javor stërvitor dhe është ndalur më pas në një minianalizë të takimit të rradhës, kundër Teutës në Durrës. Canaj ka kërkuar nga skuadra një impenjim maksimal në stërvitje, pasi Dinamos i duhet edhe në këtë ndeshje një rezultat pozitiv që të sigurojë edhe matematikisht vendin e tretë dhe kështu një vend në Kupën Intertoto, çka është objektivi i bluve. Trajneri dinamovit iu tërhoqi vëmendjen lojtarëve të tij që të mos e neglizhojnë këtë ndeshje, pasi durrsakët vërtet mund të jenë indiferent, por në futboll gjithçka mund të ndodhi. Në fakt Teuta është mëse indiferente për ndeshjet e kampionatit, sepse nuk synon asgjë dhe për më tepër skuadra durrsake do të vijë në këtë ndeshje menjëherë pas finales së Kupës së Republikës. Kështuqë për Dinamon në pamje të parë duket se ka për të qenë më i lejtë një rezultat pozitiv në Durrës, por Canaj nuk do që të ndodhet përpara një surprize dhe po merr masat që skuadra e tij të paraqitet sa më mirë në takimin e rradhës. Për më tepër që blutë në këtë sezon i kanë humbur të tria ndeshjet ndaj Teutës dhe humbja e vetme që numëron Canaj që kur ka marrë timonin e Dinamos është pikërisht nga skuadra durrsake në fazën e kaluar në “Qemal Stafa” 0:2.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›