Rajkard: Meritonim më shumë
03/03/2005 Pavarësisht faktit se skuadra e tij gjendet në krye të klasifikimit, tekniku i Barcelonës, Frenk Rajkard, është shprehur shumë i mërzitur për barazimin pa gola në derbin përballë Espanjolit. “Nuk jam aspak i kënaqur me rezultatin. Ne kishim shumë raste për të shënuar dhe duhet të përgëzoj Kameni, i cili bëri disa pritje spektakolare”- deklaroi tekniku katalanas. “Ne luajtëm shumë në krahun e djathtë dhe e gjithë loja jonë u përqendrua atje. Ne nuk arritëm që të shfrytëzonim rastet e krijuara. Duhet të jemi më të vëmendshëm. Ka qenë një ditë, ku ne treguam një nivel të lartë loje, por fati nuk ishte në anën tonë. Ne arritëm të dominonim lojën, por duhet të shpresojmë dhe të mos kërkojmë maksimumin në vetvete. Gjatë gjithë sezonit kemi luajtur përballë ekipeve që mbrohen shumë dhe jemi ne që duhet të bëjmë ndryshimin. Mendoj se është një turp që kaq shumë ekipe luajnë në këtë mënyrë, duke u munduar të përfitojnë kohë nga dalja e topit, ose goditjet e lira”.