E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lëkundet Mançini

03/03/2005  Trajneri i Interit nuk po arrin rezultatet e pritura dhe tashmë rrezikon vendin e punës

Pas derbit të humbur ndaj Milanit, të dielën në mbrëmje, pronari i Interit, Masimo Morati u largua nga stadiumi kokëulur dhe pa lëshuar deklarata. Një ditë më pas, ka qenë presidenti Faketi, ai që ka folur në emër të Moratit dhe nga fjalët e tij nënkuptohej që koha e eksperimenteve ka mbaruar. Trajneri Roberto Mançini duhet të fillojë të “korrë” rezultate, pa u fshehur më pas “mburojës” pathyeshmëri. Vendi i tretë dhe Liga e Kampioneve janë objektiva të rëndësishëm për të ardhmen e klubit zikaltër, edhe nga ana ekonomike, pasi defiçiti në bilanc është prej 78 milionë eurosh dhe do ta detyrojë Moratin të fusë dorën në portafolin e tij, për të ndihmuar arkat e klubit. Trajneri Mançini, sidomos kohët e fundit, ka këmbëngulur mbi një grup të vogël lojtarësh, duke përjashtuar nga ky grup lojtarë si Davids e Burdiso dhe duke vënë në pikëpyetje marrëdhënien midis trajnerit dhe drejtuesve të merkatos. Nga ana tjetër, Mançini është shumë i lidhur me ish-lojtarët e Lacios, gjë që nuk është pëlqyer nga një pjesë e drejtuesve zikaltër, të cilët do të dëshironin Fabio Kapelon në stolin e Interit, gjatë verës së kaluar. Pikërisht nga ky krah i drejtuesve bëhet publik një thashethem, sipas të cilit e ardhmja e projektit të Mançinit do të lidhet ngushtë me rezultatet e arritura në sezonin e parë. Për këtë arsye, objektivi minimal i këtij sezoni është arritja në finalen e Ligës së Kampioneve. Mediat italiane kanë folur për Arsen Venger, por është “hija” e Çezre Prandelit, ajo që qëndron mbi kokën e Mançinit. Ish-trajneri i Parmës do të kthehet të stërvisë sezonin e ardhshëm, por nuk dihet akoma me cilën skuadër, megjithëse është folur për një kalim te Fiorentina. Drejtuesit e klubit vjollcë janë “stepur” nga kërkesat ekonomike të Prandelit, ndaj mund të përfitojë Interi, i aftë të përmbushë këto kërkesa. Zgjedhja e Prandelit do të kishte një objektiv të qartë, atë të bindjes së Adrianos të qëndrojë te Interi, të paktën deri në vitin 2009. Sulmuesi brazilian ka biseduar me Moratin për rreth 30 minuta, por akoma nuk është takuar me Mançinin, për t’u sqaruar për lënien në stol kundër Milanit. Përveç kësaj, dihet që Adriano ka një marrëdhënie të veçantë me ish-trajnerin e tij në Parma dhe flet shpesh me të në telefon. Pikërisht këtë marrëdhënie do të përpiqet të shfrytëzojë Interi, për të bindur sulmuesin e talentuar të qëndrojë në Milano, kundrejt një rinovimi të kontratës (3,5 milionë në vit).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›