E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, seleksionimet do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme


Nga ANDI TANKU

Nga ana e stafit teknik të Dinamos ishte bërë me dije se dita e shtunë do ti jepte fund fazës seleksionuese, por mesa duket ky proces do të vazhdojë edhe javën e ardhshme. Kur pritej që të shpallej edhe lista me emrat e atyre, që do të kishin të drejtën për të luajtur me dinamovitët sezonin e ardhshëm, kjo gjë nuk është bërë zyrtare. Arsyeja është pikërisht mos përfundimi i seleksionimeve dhe duket se kjo gjë, lidhet me anën financiare, pasi mund të ketë nga ata lojtarë, të cilët nuk mund të bien dakord me klubin për kushtet e kontratës që do të firmosin. Një rast i tillë largimi, do të pasohej me ardhjen e një tjetër futbollisti, që është në proces seleksionimi. Mendohet se nga ana e trajnerit Zhupa janë spikatur disa lojtarë, por emrat e tyre nuk bëhen ende zyrtarë. Mesa duket stafi teknik i Dinamo kërkon që të jetë gjithmonë i përgatitur dhe vigjilent në mënyrën sesi po e ndërton grupin e lojtarëve. Kjo punë, e cila ka më shumë se dy javë që ka nisur bëhet pikërisht në kuadër të krijimit të një skuadre që do të jetë e aftë të përballoj me sukses sfidat në Kategorinë e Parë dhe të jetë e aftë për të qenë pretendente për tu ngjitur në Superligë. Ndërkohë, presidenca e klubit ka shprehur dëshirën për të vazhduar të investojë në ekip dhe ky është një sinjal pozitiv për të ardhmen e Dinamos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›