Elis Metaj: Nuk do të jem unë zv.trajneri i Turbinës

Kapiteni ekipit cërrikas shprehet se do të vazhdojë të japë kontributin e tij si futbollisit dhe për momentin nuk e mendon postin e zv.trajnerit
Nga ARTAN PAJA
Mbrojtësi cërrikas, Elis Metaj, aktualisht kapiteni i Turbinës prej dy sezonesh, ka hedhur poshtë zërat për vendin e zëvendës-trajnerit të Turbinës. Ai u shpreh, se nëse do ti bashkohej stolit të ekipit,atëherë do të kërkonte të ishte vetëm si trajner i parë, por kurrsesi si ndihmës në këtë post. Në fakt, kanë qenë drejtuesit e klubit, ata që kanë propozuar emrin e tij në krah të trajnerit aktual të Turbinës, Engjëll Belshi, por me sa duket kjo ofertë është kundërshtuar nga 27vjeçari. ”Dua ti falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që vlerësojnë punën time, por mendoj se momentalisht nuk do të jem ndonjë post në stolin e Turbinës. Nëse një ditë do ta pranoj këtë pozicion, dua ta pranoj i vetëm, pa ndarë me askënd përgjegjësi, të cilat do të kishin një kosto të lartë morale. Nuk mendoj se problemi ynë është te trajnerët, por ajo vuan disi në planin e prurjeve të elementëve produktiv. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim si futbollist, ndërsa kur të vendos për të marrë drejtimin e ekipit, atëherë ajo do të ndërtohet vetëm me orientimin tim”,- përfundon kapiteni i Turbinës, Elis Metaj. Mësohet se zyra e sporteve pranë bashkisë së Cërrikut, në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak të qytetit, kanë hapur dritën jeshile për ti shtuar organikës së klubit dhe dy emra të tjerë në stafin drejtues, ku njëri prej tyre pritet të jetë në rolin e ndihmës-trajnerit. Referuar zërave të fundit, mundësinë për ta marrë këtë detyrë do ta ketë, vetëm ndonjë emër, që ka qenë pjesë e ekipit më parë. Me fillimin e javës së ardhshme,trajneri Engjëll Belshi do ti paraqesë nga afër kryebashkiakun të qytetit të Cërrikut, Servet Duzha, të gjitha synimet e Turbinës për këtë vit.