Dinamo shikon përsëri nga UEFA
14/03/2005 Përsëri blutë konfirmojnë edhe një herë nofkën e tyre. “Nëndetësja” u shfaq edhe një herë tjetër në sipërfaqe, e paprekur nga stuhia që kaloi. Aty ku gjithkush priste një shkatërrim të Dinamos së shumë problemeve përballë kampionëve të Tiranës, ndodhi krejtësisht e kundërta. Ikona që shfaqën lojtarët dinamovitë në “Qemal Stafa”, qe krejt e kundërt nga ajo e një jave më parë në po këtë stadium, kundër Teutës. Blutë u paraqitën në fushë plot grintë e ambicie. Për asnjë çast, ata nuk lëshuan në lojën e tyre, duke i bërë një presion të vazhdueshëm kundërshtarit. Dinamo u shfaq në derbi, si një skuadër kompakte dhe me një lëvizshmëri e efektshmëri për t’u pasur zili. E të mos harrojmë se, vetëm një ditë përpara ndeshjes, lojtarët afrikanë të klubit blu kishin bojkotuar stërvitjen, ndërsa kapiteni Arjan Pisha e sulmuesi kryesor, Alban Bushi, ishin të dëmtuar dhe munguan në këtë sfidë. E megjithatë, lojtarët afrikanë, pas zgjidhjes së problemit të tyre nga presidenti, të nesërmen ishin nga më të mirët në fushë. El Haxhi Gudjabi, me dy golat e tij i dhuroi fitoren skuadrës dhe e bëri të pandjeshme mungesën e Bushit, në sulmin dinamovit. Edhe afrikanët e tjerë, Kone, Fall, Gaje, e Diop, me lojën e tyre plotë grintë e cilësi, i dhanë një sadisfaksion të madh presidentit të tyre, i cili ishte i pranishëm në tribunën e “Qemal Stafës”. Kjo, pasi presidenti Sulaj ishte akuzuar nga tifozët dinamovitë, pas ndeshjes me Teutën se, ka bërë blerje të dobëta, por lojtarët afrikanë, me paraqitjen e tyre i kanë dhënë të drejtë presidentit, duke mbyllur gojët e liga. Nga ana tjetër, një paraqitje të mrekullueshme ka kryer edhe mbrojtësi Erjon Xhafa, i cili zëvendësoi në mënyrën më të mirë, kapitenin Pisha. Pas fitores në derbi, Dinamo e shikon më me optimizëm të ardhmen, sidomos pas humbjes së Vllaznisë në Lushnjë. Diferenca midis bluve dhe vendit të tretë është ngushtuar përsëri në shtatë pikë, duke e bërë më të afërt ëndrrën e dinamovitëve për një vend në Kupa UEFA. Por, më kryesorja është se blutë arritën të dilnin shumë shpejt nga kriza, ku ishin futur. Aty ku mendohej se e vetmja gjë që i kishte ngelur ishte që të bënte plane për sezonin e ri, Dinamo është futur përsëri në vallen e Evropës. Kjo tregon edhe një herë karakterin e fortë të kësaj skuadre, në sajë të të cilit, jo më kot ka marrë nofkën “nëndetësja”. E pra, të shohim nëse “nëndetësja” do ta vazhdojë ngjitjen saj, apo do të mjaftohet me shpëtimin nga stuhia.