E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet e lirisë dhe ilaçi i politikës

14/03/2005  Debati politik, vazhdon të jetë tradicional, i tendosur dhe i paravendosur, në disa probleme klasike, të njohura, të vjetra të saj, duke neglizhuar disa detyra e përgjegjësi sociale të reja, që sjell koha dhe zhvillimi. Ato nuk janë anësore, por me vlerë dhe shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Politika shqiptare, duket se nuk e ka fort të qartë, që ajo ka përgjegjësi, trajtimin gjatë kësaj fushate, të disa problemeve sociale, të cilat dëshirojmë ose për njëanshmërinë ose paaftësi të politikës tonë, për të përcaktuar se çfarë është në kompetencë e përgjegjësi të saj. Në qoftë se partitë politike, do të vazhdojnë të debatojnë pambarim, vetëm për probleme të politikës së "pastër doktrinare", për problemet dhe konceptimet dogmatike të raporteve midis privatizimit dhe nevojës për pronë publike, për arsimin, etj., dhe do të neglizhojë disa probleme sociale me rëndësi shoqërore, të cilat në pamje mund të mos jenë “shqetësuese” për të, kjo është tregues i prapambetjes së saj, i mungesës së kompetencës, për të kuptuar botën sociale që po komplikohet, dhe përgjegjësitë e saj.

Padyshim, problemet sociale në shoqërinë tonë të hapur, moderne dhe demokratike, nuk janë vetëm ato më të njohurat, më të pranishmet, më të dukshmet dhe më shqetësueset, siç janë varfëria, papunësia, braktisja e shkollës, rritja e treguesve dhe shtimi i numrit të njerëzve me aftësi të kufizuar, fëmijët e braktisur e të mbetur jetimë, për të cilët ka skema sociale të mbrojtjes së garantuar. Eshtë ndërtuar një arkitekturë e tërë e rrjetit të institucioneve sociale publike e private. Por tani, gama e problemeve sociale klasike, po shoqërohet me të tjera shtesë për të cilat edhe politika duhet të mendojë e të planifikoje zgjidhje, sidomos tani kur do të hartohen programet politike.

Koha jonë, ka nxjerrë në evidencë, probleme morale juridikedike që tani nuk janë më as imitime as fenomene fillestare, që mund të anashkalohen. Ato janë probleme sociale, bioetike dhe meritojnë të trajtohen dhe zgjidhen politikisht. Problemet (vetëvrasja, aborti, prostitucioni, pornografia, homoseksualizmi, droga), duke qënë fenomene të reja, për të cilat nuk ka patur as mendim dhe as zgjidhje, në të kaluarën, duhet të gjejnë vendin e tyre në raport me konceptet e partisë së majtë (PS) dhe partisë së djathtë (PD). Është koha që programet elektorale të xhvishen nga problematikat e përgjithshme, formulimet standarte dhe ti drejtohen edhe nevojës për të trajtuar e dhënë zgjidhje për probleme të tilla sociale me tendencë të qartë agravimi..

Asnjë shqiptar, i majtë apo i djathtë, nuk e ka të qartë deri në fund, në mënyrë shteruese, se cili është dhe cili do të jetë qëndrimi i partisë së tij, për këto fenomene dhe për shumë të tjera si këto.

E majta dhe e djathta, nuk dallohen vetëm për ato komponente tradicionale social politike dhe ekonomike por edhe për qëndrimin që ato mbajnë ndaj problemeve sociale. Kanë kaluar 15 vjet dhe nuk është normale, që partitë shqiptare t'i rrotullojnë programet e tyre të konkurimit elektoral, në bllokun e njohur e tradicional të problemeve të përgjithshme (privatizim, politikë, sociale, punësim, arsim, taksa e tatime etj.) të cilat, janë absolutisht të domosdoshme. Është shenjë e stanjacionit dhe prapambetjes së politikës shqiptare, po qe se ajo mbyll sytë përballë problemeve të reja sociale, të cilat kanë qenë të panjohura dhe rudimentare në kohën kur lindi e majta dhe e djathta shqiptare.

Nuk është normale, madje është e shëmtuar, që politika të mbyllë sytë dhe veshët përballë një realiteti që çdo ditë agravohet në pikëpamje sociale, me fenomene që kanë kosto të posaçme financiare, politike, e që nuk mund të neglizhohen. Ne jemi shoqëri e hapur dhe moderne, jetojmë të barabartë në magjistralin e qytetërimit perëndimor. Si rezultat, ne do të përfitojmë nga të mirat e shoqërisë së lirë, të hapur e demokratike, por njëkohësisht, nuk ka mundësi dhe nuk krijohet ndonjë mekanizëm social, për të qënë të imunizuar prej sëmundjeve të njohura të saj. Politika jonë ka filluar të shfaqë nuanca vjetërsie, tradicionalizmi, mungesë fleksibiliteti dhe atraksioni, pikërisht, sepse ajo qëndron larg problemeve sociale të cilat kanë kosto të veçantë politike dhe morale për to.

Ato i druhen qëndrimit dhe reagimit elektoral tradicional, i cili ka më shumë qejf partinë e pastër doktrinariste se sa partinë që intervenon politikisht dhe në formë social juridike për zgjidhjen humane, qytetëruese e demokratike të problemeve sociale, të moralit, të familjes, të sëmundjeve sociale në rritje. Ka ikur koha e politikës së trajtimit global të problemeve të shoqërisë. Tani, në vend të konceptit të vjetër sociologjizant të shoqërisë si “kope sociale,” e bindur e drejtuar dhe e udhëhequr nga një parti, një politikë, një koncept moral, kemi një shoqëri të larmishme, të diversifikuar në qëllime, prirje, interesa, pasione. Në vend të "bllokut unik social", tashmë kemi grupe sociale, të cilat shfaqin pasione personale, parapëlqime, kundërshtime, sindroma sociale e morale të cilat, po sjellin një realitet të ri, të problemeve socio-morale e bioetike me të cilat po përballemi të gjithë.

Politika shqiptare, problemet delikate të jetës shoqërore, nuk mund t'i zgjidhë me mendimin absolutisht te gabuar, të “zhvillimit të lirë të lojës,” duke shpresuar për zgjidhje të vetvetishme, spontane, për ekuilibrime të fenomeneve pa ndërhyrjen e saj. Kjo politikë tani ka marrë fund, dhe presioni social i shoqërisë, po vjen duke u rritur. Ajo është bërë shumë sensibile, sidomos për disa dukuri që vërtet po bëhen shqetësuese për të, siç janë vetëvrasjet, aborti, pornografia, prostitucioni, divorcet, incestet, etj. Është politikë amorale, politika që i fshihet problemeve morale që nuk mendon dhe nuk vepron, jo me mjete dhune, por me forma qytetare e periodike për të ndihmuar pozitivisht. Nuk ka shkelje e të drejtave të njeriut, nga shteti, që të mendojë për politika sociale prevenuese, fjala vjen, që çojnë në uljen e numrit të vetvrasjeve, abortit dhe kufizimit dhe rregullimit ligjor, të propagandës pornografike që nxit prostitucionin dhe depersonalizon njeriun. Përkundrazi, indiferentizmi, frika e përgjegjësisë, e maskuar me frazeologji libertiste, për respektim të të drejtave të njeriut në shoqëri, është element nxitës dhe spunto e fenomeneve asociale.

Edhe në problemet morale, ka koncepte dikotomike, që dallojnë partitë e majta nga të djathta. Padyshim, tani në prag të zgjedhjeve, do të ishte i domosdoshëm të evidentohej si vizioni aksial i politikës së majtë dhe të djathtë, të shpallur publikisht në fushatë sidomos për tre probleme me rëndësi për jetën tonë, shtimi vetvrasjeve, rritja e tmerrshme e numrit të aborteve dhe prostitucionin. Nuk është shkelje e të drejtave të njeriut që politika, shteti dhe shoqëria, të përpunojnë politika dhe ndërtojnë mekanizma juridikë e socialë, që ndikojnë pozitivisht.

Dukuria e vetvrasjes e shfaqur dendur kohët e fundit, është fenomen kompleks. Padyshim, shteti ka të drejtë të merret me vrasjet, e të parandalojë atë dhe të dënojë fajtorin. Por, a duhet qënë indiferent përpara fenomenit të vetvrasjes meqënëse ajo, nuk është vrasje e zakonshme. Çfarë duhet bërë për të penguar tendencën që njeriu i mohon vetes, të drejtën e ekzistencës së tij, duke e eleminuar atë. A është kjo e gabuar, bashkë me konceptin që motivon vetvrasjen si të drejtë të njeriut, të bëjë çfarë të dojë me trupin e vet? Politika nuk duhet të mbyllë sytë, të lajë duart duke e ngushëlluar ndërgjegjen e vet me argumentin se, vetvrasja është akt individual. Jo, ky fenomen social vërtet ka ca shkaqe psikobiologjike, por në thelb, ato kanë një ambalazh social. Vetëvrasja, është vërtetë një vendim personal, por ai ka një sfond shoqëror, që e nxit. Këtu është detyra, fusha dhe kompetenca e politikës, për të krijuar kushte sociale që zbut fenomenin.

Mbrojtja e abortit, si e drejtë e gruas të ketë apo mos të ketë fëmijë, është vendim personal dhe qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Në pamje të parë, aborti është e drejta e gruas për vetvendosje. Të detyroshosh gruan të lindë fëmijë, është njësoj si të privosh atë nga trupi dhe jeta e saj. Ka të tjerë që thonë se aborti është e drejtë kriminale, pasi shoqërohet me vrasjen e fëmijës. Lëvizja feministe deklaron se, gruaja ka të drejtë të kontrollojë vetë trupin e saj. Cili do jete koncepti aktual i politikës tonë. Po fenomeni i prostitucionit si fakt, si do të trajtohet, cili do të jetë gjykimi i politikës, për këtë dukuri komplekse, midis konceptit si degradim i femrës, duke i konsoliduar ato vetëm si objekt qejfi dhe të drejtës sovrane mbi trupin e saj.

Në qoftë se partitë politike shqiptare e kanë të vështirë të gjejnë se ku futen, si futen, si trajtohen dhe zgjidhen politikisht këto probleme sociale, nga homologët e tyre evropianë të së majtës dhe të djathtës moderne, le të shikojnë, se si i trajtojnë ato politikisht dhe publikisht.

Besoj, se nuk do të ishte e tepërt të theksoja se, shpeshherë e majta nga e djathta janë ndarë neë publik, pikërisht për probleme të tilla jo anësore, për një shoqëri të emancipuar si qëndrim ndaj abortit, angazhimi i homoseksualëve në administratë dhe ushtri, etj. Besoj se, nuk janë partitë tona më moderne, se homologet e tyre demokrate e republikane në SHBA, të cilët, fushatat elektorale i përqëndrojnë me prioritet në problemet sociale, për të cilat ka sensibilitet social. Unë e di që moralistët dhe tradicionalistët e politikës sonë të vjetër do kundërvihen, ose me tezën bajate të moralit tonë të pastër (!) dhe do të shpërthejnë në slogane të politikës së dalë boje, ose do të përdorin argumentin e diferencës së nivelit të zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit tonë, në raport me shtete të tilla, bastione të demokracisë si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, të cilat kanë krijuar politika sociale, interpretime morale dhe zgjidhje juridike të problemeve që kanë. Epoka jonë është globale dhe problemet tani nuk mund t’i parcelizosh, t’i rajonalizosh apo nacionalizosh. Prandaj, në vend që politika të vazhdojë të prodhojë argumente, duke patur frikë nga “kutia sociale e Pandorës”, është më mirë të kuptojë se ajo është hapur dhe nuk mbyllet më. Në vend të saj, do ishte në nderin e politikës sonë, që në programet që po hartojnë, le të heqin ca nga problematikat standarte dhe me pak vlera sociale dhe të fillojmë gradualisht të mendojnë dhe projektojnë programe politike jo si gjasme evropiane, as si gjysëm evropiane, por si evropiane bashkëkohore.

Jetojmë në një epokë tjetër, në epokën kur qytetërimi bashkëjeton me sëmundjet sociale që i prodhon vetë, i prodhon zhvillimi i saj. Padyshim, nuk është politika i vetmi ilaç që shëron plagët e shoqërisë. Janë edhe shumë të tjera, që veprojnë bashkë me të. Por, politika duke qëndruar indiferent dhe me frikë nga "koraca morale" e vjetër e saj, ka rrezik që të bëhet ilaç, më i keq se sëmundjet që duhen shëruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›