“Pa Taren, s’duroj dot fare”
14/03/2005 Ky ka qenë teksti i një banderole të varur dje, në atë pjesë të stadiumit “Dal’Ara”, ku rrijnë tifozët më të zjarrtë të Bolonjës. Bomberi shqiptar, në sajë të golave të tij, si dhe të paraqitjeve mjaft të mira të kryera kohët e fundit, është kthyer në një simbol të skuadrës së Macones. Tare ka shënuar vetëm pesë gola këtë sezon, por shumica e tyre kanë qenë mjaft deçizivë për ecurinë e skuadrës së tij. Madje, në ndeshjen e një jave më parë në Udine, falë golit të Tares, Bolonja arriti që të rrëmbejë tri pikë shumë të vlefshme nga skuadra vendase. Edhe në ndeshjen e djeshme, kundër Sienës, sulmuesi shtatlartë ka qenë nga më të mirët në fushë. Sidomos në pjesën e parë, Tare ka qenë pika e referimit në sulmin e Bolonjës. Në minutat e para të pjesës së dytë, më saktë në 55’, sulmuesi ynë fitoi 11-metërshin që i dhuroi golin e vetëm, skuadrës së Macones. Megjithëse nga fundi i takimit dukej se sulmuesin tonë e lanë fuqitë, duke e detyruar trajnerin Macone që t’i bërtiste për të vazhduar të luftonte për topin e parë. “Nëse vazhdon kështu, nuk të fus më të luash”, i bërtiti trajneri gjaknxehtë sulmuesit shqiptar, pas një topi të humbur në mesfushë. Por, megjithë përpjekjet e bomberit tonë, Bolonja nuk arriti që të fitonte, pasi Siena, falë një autogoli të Koluçit, mori një pikë të vlefshme në “Dal’Ara”. Në sekondat e fundit të takimit, Tare për pak sa nuk u bë edhe një herë heroi i Bolonjës, por gjuajtja me kokë e tij u prit nga portieri kundërshtar, përpara se të kalonte vijën fatale, duke e ndaluar sulmuesin tonë që të shënojë golin e tij të gjashtë për këtë sezon.