E Diel, 1 Nëntor 2026

O sa mirë me qenë turist!

14/03/2005  Para disa ditësh, u krijua Enti i Turizmit, në Ministrinë e Turizmit! Ky Ent, do të merret me promovimin e turizmit shqiptar nëpër botë. Sikur të mos ishim shqiptarë, mund të na dukej si humor. Por në fakt është tallje. Dikush ka nevojë për të mbushur mediat me lajme për “punë të suksesshme” dhe mënyra më e lehtë është krijimi i institucioneve të reja. Nuk mund t’i shmangim disa pyetje.

Pyetja e parë: Nëse ky organizëm i ri do të merret me promovimin e turizmit, me çfarë na qenka marrë deri tani Ministria e Turizmit?! Ndoshta me turizëm!

Kjo lloj loje qesharake, ka edhe një racionalitet të mbrapshtë nga prapa. Për çdo problem të mundshëm, zgjidhja më e lehtë që i vjen ndër mend qeverisë, është miratimi i një ligji dhe krijimi i një strukture përkatëse. Hiper-ndërhyrje e shtetit aty ku nuk ka nevojë, dhe indiferentizëm total, aty ku vetëm shteti duhet të veprojë.

Pyetja e dytë: Përse prishjet e ndërtimeve të paligjshme nisin përpara sezonit turistik në Shqipëri. Zyrtarët deklarojnë se, kjo nuk do të ndikojë në sezonin turistik, por nga ana tjetër, të gjithë e dimë se plazhet tona do të kenë këtë vit pamje akoma më të frikshme sesa vitin e kaluar pikërisht për shkak të gërmadhave apokaliptike. Ndoshta, është bërë me qëllimin e mirë për tu kujtuar kosovarëve bombardimet e NATO-s në vitin 1999!

Pyetja e tretë: A e vret vërtet mendjen qeveria për turizmin në Shqipëri? Ky është versioni më dashamirës i pyetjes, sepse mund të shtrohej edhe kështu: Përse janë krijuar të gjitha kushtet e mundshme për përzënien e turistëve nga Shqipëria? Përpara dy vjetësh, një përfaqësues i lartë i qeverisë shqiptare, vizitoi Prishtinën dhe i ftoi kosovarët të kalojnë pushimet në Shqipëri. Kur e pyetën gazetarët për gjendjen e rrugës Kukës-Durrës, ky individ u përgjigj se kishte ardhur me makinë dhe se rruga ishte e përsosur. Në fakt, kishte ardhur me aeroplan dhe nuk e pati fare problem të mashtronte mediat kosovare, ndërkohë që të gjithë e dinin se po mashtronte për rrugën. Pyetja nuk iu bë për të njohur gjendjen e rrugës, sepse dihej që ishte katastrofike, por për të shprehur interesim për riparimin e saj. Ky përfaqësues i Shqipërisë erdhi në Kosovë me duar në xhepa dhe mori pjesë në një koktej dhe ca darka gazmore. Ndërkohë, malazezët kishin ardhur në Prishtinë dy muaj më parë, me të gjithë kabinetin qeveritar dhe përfaqësuesit lokalë të Ulqinit, duke organizuar promovime të bregdetit të tyre nëpër media, takime, dreka, darka, etj., për tua mbushur mendjen kosovarëve të shkonin në Ulqin. Rezultatet duken. Ulqini i vogël me aftësi modeste pritjeje, thith më tepër turistë kosovarë sesa gjithë Shqipëria!

Pastaj plazhi. Po të mos ishte deti te Shkëmbi i Kavajës, nuk do të kishim patur as edhe dëshmi arkeologjike për ekzistencën e ndonjë plazhi në të kaluarën. Bizneset e ndershme hoteliere të ndërtuara dhe funksionuese sipas standarteve perëndimore, janë në konkurrencë të pashpresë me ndërtimet karikaturale që e kanë ngrënë rërën plotësisht. Sa mirë, sikur të hidheshim drejtpërdrejt nga ballkoni në det! Ku është shteti aty ku duhet dhe kur duhet!

Pyetja e katërt: Çfarë trajte merr udhëtimi i një kosovari që vjen në Shqipëri për pushime? Ky njeri që vjen shpesh me dëshirën për të njohur vendin amë dhe për t’i harxhuar paratë e tij në një vend shqiptar, në fund ka më shumë histori për të treguar sesa Guliveri. Së pari, paguan lloj-lloj taksash fantazioze që në hyrjen në kufi. Taksën prej 1 euro në ditë për qëndrimin në Shqipëri e paguajnë vetëm ata që hyjnë në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër, makinave të Shqipërisë, nuk u kërkohet kurrë të paguajnë këtë lloj takse kur hyjnë në Kosovë. Madje, shpesh, kosovari paguan edhe dezinfektimin e makinës, pasi kalon në një gropë ku nuk ka të paktën as ndonjë lloj lëngu sa për të krijuar iluzionin e dezinkfektimit. Nëse nuk pranon, nëpunësi i shtetit shqiptar i thotë: “Or ti, ka shtet këtu, po deshe paguaj, po deshe kthehu andej nga ke ardhur!”. Pastaj përballet me trajtimin e nëpunësve të tjerë të shtetit shqiptar në doganë. Çdo arsye është e mirë për të kërkuar para në dorë. Madje asnjë arsye nuk është e keqe. Përsa i përket pritjes dhe sjelljes, edhe kurdët më të pakënaqur me kampet italiane të refugjatëve do të ishin ndjerë të fyer në kalimet tona kufitare.

Pastaj, këtij kosovari i duhet të ndeshet me një sërë pritash të policëve tanë. Dhe, nëse ka rënë disi gjobitja-plaçkitja në rrugën Kukës-Durrës, ka nga ata policë që nuk ngurrojnë të plaçkisin në mes të Tiranës cilindo me targa KS. Dhe pastaj më në fund deti! Prit pak, ku është deti more? Ah po, përtej atij grumbullit me plehra... atje ku po derdhen ato ujrat e zeza!

Përfundimisht: Çfarë halli i madh do të duhej ta shtynte një kosovar të vinte në Shqipëri, ndërkohë që në Ulqin, Bullgari, Turqi, Mal të Zi, apo edhe Kroaci, mund të kalojë pushimet shumë më lirë, pa plehra rrotull, në një dhomë me ujë dhe drita, rrethuar nga rrugë, gjelbërim e shëtitore dhe pa gërmadha ndërtimesh e pa policë-kaçakë?

Një pjesë e mirë e motivimit të kosovarëve për të ardhur në Shqipëri, ka natyrë patriotike dhe shumica prej tyre janë ata që mbulojnë stadiumet tonë me flamuj gjigandë dhe krenari, gjatë ndeshjeve të kombëtares, por kjo është gjithsesi e konsumueshme në kohë. Pastaj, mirë kosovarët, por me çfarë mund t’i joshim turistët e huaj? Ndoshta ky enti i ri i turizmit, do të na shpëtojë me ndonjë broshurë magjike!!! Ose ndoshta, qeveria synon të tërheqë në Shqipëri ata turistë që mrekullohen me kaosin apo xhunglat urbane në mes të Evropës? Nëse është kështu, Ministria e Turizmit duhet lavdëruar përzemërsisht. Nuk është e lehtë, o njerëz, ta organizosh kaosin dhe xhunglën në këtë farë feje! Do punë dhe përkushtim!

Kjo është ajo që po bën shteti shqiptar për turizmin. Duke patur parasysh të gjitha këto, krijimi i një enti për promovimin e turizmit shqiptar, nuk ka sesi të mos duket si tallje. Madje tallje elektorale dhe pa shije.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›