E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjia apo “mallkimi” i verës së kuqe…?

14/03/2005  E vërteta. Një fjalë e thjeshtë, e vjetër sa vetë bota, por në të njëjtën kohë një fjalë e rëndë, me peshë sa vetë shekujt që jeton njerëzimi. Filozofët që nga lashtësia e deri në ditët tona, i kanë mëshuar të vërtetës, i kanë thurur homazhe, por edhe kanë vuajtur prej saj. Sofokliu, Seneka, Galileo Galileu, Xhon Milton e qindra të tjerë i kanë shërbyer të vërtetës dhe kanë vuajtur në emër të saj. Një komedi, e cila në fund të bën të qeshësh, pasi nuk qan dot, përpiqet të fokusojë në qendër të vëmendjes, betejën mijëvjeçare, midis të vërtetës dhe “mashtrimit” (korrupsionit, degradimit moral etj.), një komedi e titulluar nga regjisori Muhamet Xhelili, “Magjia e verës së kuqe”, por që, për ata që e ndoqën në premierën e saj apo do ta ndjekin në ditët në vijim, mund të titullohej edhe “Mallkimi i verës së kuqe”, pasi, mesa duket, të thuash të vërtetën është gati një mallkim për atë që e thotë. Dikush mund të pyesë: Po ç’lidhje ka vera me të vërtetën? Po ja që ka, pasi Thoma (i) Ziu (Roland Trebicka), një financier, e pëson sa herë që thotë të vërtetën (të cilën guxon ta thotë vetëm kur ka pirë overdoza vere). Një ministër (Robert Ndrenika), i cili, ndoshta, e mendon shumë mundësinë e të “pirit” verë, pasi detyrohet (në fakt e detyrojnë), të japë dorëheqjen dhe të “mbyllë” gojën e të mos flasë për skandalin në ministrinë e tij. Një dallaverexhi klasik (Elidon Fino), pas të cilit fshihen “peshkaqenë të mëdhenj”, arrin të rrëshkasë pa u lagur fare (sikundër rëndom ndodh) dhe, një bashkëshorte dhe motër (Yllka Mujo) e vendosur midis dy zjarresh dhe dilema morale. Një tjetër bashkëshorte naive (Valbona Imami), që shikon martesën e saj, të bjerë si kështjellë rëre, pasi “pangopësia” e bashkëshortit (Elidon Fino), nuk është vetëm monetare, por shumëplanëshe… e padyshim, nuk mund të mungonte në këtë show—korrupsion dhe antikorrupsion edhe policia, e cila “bën” punën e saj me shumë zell dhe paanësi (Fatos Sela, në një rol episodik, por rol karakter). Një komedi e adoptuar me shumë kujdes e dashuri nga regjisori Xhelili, i cili ka mundur të sjellë në një vepër të vetme, nga tre komedi të huaja. Natyrisht që kasti i aktorëve, bazuar në një trojkë tepër të njohur, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Robert Ndrenika, mundi të transmetonte humor dhe emocion të pamasë te spektatorët. Por edhe brezi më i ri i aktorëve, si Elidon Fino, Valbona Imami, Monika Lubonja, interpretuan bindshëm, si për publikun ashtu edhe për partnerët e tyre legjendarë. Një shpërndarje rolesh në kufijtë e perfektes. Jo vetëm personazhet, por edhe vendet, emrat, e kryesisht gjuha, vijnë shumë natyrshëm dhe të lidhura tepër organikisht, me realitetin shqiptar, të cilin të gjithë e njohim, të gjithë e përflasim në “koinfidencë”, por nuk guxojmë ta demaskojmë. Kjo komedi nuk përpiqej të luante një mision, ajo thjesht tregonte, pasqyronte, por krijonte edhe një “precedent” tepër të rëndë për ne shqiptarët, pasi do të duhet të kthehemi në konsumatorë patologjik të verës…, për të thënë të vërtetën…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›