E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliot Winberger në Shqipëri

14/03/2005  Projekti “Poeteka” mundësoi ardhjen në vendin tonë të kritikut dhe eseistit të mirënjohur Eliot Winberger. Paralelisht me takimet që ai pati në Tiranë dhe Durrës me shkrimtarë, përkthyes dhe intelektualë shqiptarë, Winberger zhvilloi edhe disa vizita në disa qytete turistikë të vendit tonë. Në ditën e largimit nga vendi ynë, duke folur për “Metropol”, ai ka shprehur opinionet e tij, në lidhje me vizitën në vendin tonë, veprimtarinë e tij, si edhe këndvështrimet mbi antologjinë letrare dhe rolin e kritikës në letërsi. Winberger është i mendimit se: “Nëse do të më pyesnit mbi mënyrën e të bërit kritikë, do të thoja se pozicioni më i mirë, është të jesh skeptik dhe të bësh pyetje, por natyrisht, të përpiqesh të zgjerosh sa më shumë njohuritë e tua, duke lexuar vazhdimisht”.

Një vizitë për herë të parë në vendin tonë…

Isha shumë kurioz të njihja nga afër vendin tuaj dhe, kur “Poeteka” më bëri ftesën për të ardhur, u ndjeva shumë i lumtur. Kjo edhe për vetë faktin se mu krijua një mundësi për të “zbuluar” Shqipërinë.

A e njihnit letërsinë shqiptare apo edhe vetë Shqipërinë, para ardhjes suaj këtu?

Shumë pak për të qenë i sinqertë. Kjo ka shpjegimet e veta. Shqipëria ka qenë një vend shumë i izoluar për shumë vite me rradhë, por edhe për faktin se shumë pak autorë apo vepra letrare janë përkthyer në anglisht, ku mund të përmend Kadarenë apo edhe ndonjë tjetër, që në fakt është shumë pak për të krijuar një ide të plotë. Por, e vërteta është se në këtë vizitë fillova të mësoj diçka për shkrimtarët shqiptarë, si edhe pata mundësinë të vizitoj disa vende si Beratin, Krujën, Shkodrën, etj. Përshtypja ime është se, kjo shoqëri e izoluar për një kohë shumë të gjatë, ka filluar të riformatohet gradualisht dhe se gjithçka i përket të ardhmes.

Përpos vizitave në qytete të ndryshme, ju patët mundësinë të komunikonit edhe me shumë shqiptarë. Përshtypjet tuaja në lidhje me shkallën e njohjes për individët që kanë jetur për një kohë të gjatë në “rrethim”…?

Pata përshtypjen se është një aspekt individual i secilit prej tyre. Disa nga personat që takova, ishin shumë mirë të informuar, jo vetëm për atë ç’ka ndodh në botë, por edhe në lidhje me letërsinë. Pa dyshim, edhe fakti që shumë shqiptarë kanë patur mundësinë, ndërkohë, të udhëtojnë jashtë, ka ndihmuar të rritet shkalla e njohjes për atë ç’ka ndodh në botë. Mos harrojmë se jetojmë në një shoqëri globale dhe mundësia për të njohur është shumë herë më e madhe dhe më e lehtë se para 50 vitesh. Natyrisht edhe kanalet e komunikimit janë të shumta, si në rastin e “Peotekës”, që e konsideroj një projekt tepër të rëndësishëm, apo edhe shoqatave të ngjashme, të cilat mundësojnë ardhjen e shkrimtarëve të huaj, që unë do ta konsideroja një ide të shkëlqyeshme, pasi krijon mundësinë e një komunikimi të drejtpërdrejtë. Besoj se jam një ndër shkrimtarët e parë amerikanë që vij në Shqipëri, pas një grupi shkrimtarësh, të cilët kam përshtypjen se kanë ardhur diku në vitet ‘91-’92. Kam bindjen se ardhja e shkrimtarëve jo vetëm amerikanë, por nga e gjithë bota, krijon mundësinë e një komunikimi dhe dialogimi direkt, fakt që do të mundësojë edhe pasqyrimin më të gjerë të Shqipërisë në botë, e cila për një kohë të gjatë ka munguar.

Cili ishte shkaku që ju bindi t’i përkushtoheshit letërsisë?

Besoj se kjo ka ndodhur kur isha 13-vjeçar. Në këtë moshë zbulova poezinë, ndërkohë, që më parë kisha patur dëshirën të bëhesha arkeolog. Një arkeolog që dëshironte të zbulonte Amerikën Qendrore, Meksikën, kulturë e majave, actekëve, etj. Lexoja në atë kohë një libër mbi majat që në fillim të tij kishte një lloj pamfleti të shkruar nga Otavio Paz. Ishte një poemë e cila ndryshoi jetën time, pasi kuptova që në poezi kishte një shtrirje më të gjerë se arkeologjia, ku të gjitha kohërat shkriheshin në një të vetme. Eshtë ironike, por kjo poemë e shkruar nga Paz, do të më lidhte me të “përjetësisht”, pasi përfundova të merrem dhe ta përkthej atë për rreth 30 vite rrjesht. Më pas, do të vinte Borghez, të cilin e kam përkthyer pas vdekjes, ndërsa me Paz kam qenë shumë i lidhur. Fillimisht operova me poezinë, por më pas kalova te eseja. Besoj se ajo ç’ka kam mësuar të bëj në prozë, është rezultat i poezisë që kam lexuar. Bota, në fakt, është shumë e çuditshme dhe unë nuk kam parapëlqyer të shkruaj në prozë artistike, por në një formë që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, të çuditshme, sikundër eseja.

Si e shpjegoni këtë “lidhje” me Paz dhe Borghez?

Eshtë një lidhje që e provokon fakti se, puna e tyre të tërheq dhe të pëlqen shumë. Përkthimi është një formë primare e kriticizmit, pasi të bind që ky apo ai autor duhet të lexohen nga të gjithë. Mendoj se Paz është një nga poetët më të mirë të shek. të XX, një poet nga i cili njerëzit që e lexojnë, mund të mësojnë shumë. Ndërsa Borghez e kam përkthyer si një mjeshtër të esesë dhe artist të poezisë, pavarësisht se nuk mendoj se ka qenë një poet i madh, por vetëm një eseist i tillë.

Mendoni se ka një lidhje të ngushtë midis prozës dhe poezisë?

Në fakt, proza që unë kam shkruajtur është shumë e ngjashme në stil me poezinë dhe, kam qenë shumë i kujdesshëm në këtë drejtim. Kjo nuk është e përgjithshmja te shumë shkrimtarë që elaborojnë prozën. Besoj se është diçka personale, janë aspekte që ndryshojnë nga rasti në rast. Këtë e them pasi shumë poetë kanë qenë, përgjithësisht romancierë të dobët. Kanë shkruar një apo dy romane, niveli i të cilëve ka lënë për të dëshiruar, por të mos harrojmë që kanë qenë eseistë shumë të mirë, sidomos në gjuhën angleze e ndeshim shumë një rast të tillë. Kjo pasi poetët përpiqen të përpunojnë shumë formën e esesë.

Një ndër esetë që ju lexuat ishte edhe “Objektet seksuale”…

Në fakt, nuk mund të them se është një nga esetë e mia më tipike që kam shkruar, por është një ese që i kundërvihet asaj që ne në SHBA e quajmë “korrektësi politike”, prandaj edhe citimi i identifikimit me Safon, besoj se është shumë humoristik. Ideja erdhi nga identifikimi i objektit seksual nga të tjerët, kështu që fillova të gërmoj në botën e kafshëve, për të kuptuar se çfarë parapëlqejnë seksualisht kafshët te njëra-tjetra…

Në karrierën tuaj, ju i keni kushtuar një rëndësi të madhe edhe hartimit të antalogjisë. Sa e vështirë është një ndërmarrje e tillë?

Sidomos në rastin e poetëve amerikanë, është shumë e vështirë, pasi janë shumë rreth 10 mijë poetë, ndërsa në antologjinë time prezantohen vetëm 35 të tillë. Rezultati? 9965 poetë me urrejnë se nuk përfshihen aty… Më e rëndësishmja në hartimin e një antologjie të poezisë, është aftësia për të “dëgjuar” zërin e individualitetit të secilit poet. Ka raste antalogjish ku përfshihen 500 poetë, ku secilit i korrespondon një faqe, por është e pamundur të gjesh sensin e individualitetit të poetëve. Mendova që, në antologjinë time secili poet të ketë të paktën 10 faqe. Kjo mundëson pasqyrimin e individualitetit të çdo poeti. Në thelb, ky është edhe funksioni i një antologjie: tu krijojë mundësinë lexuesve të kuptojnë kush është poeti në tërësinë e tij dhe, më pas, të lexojnë të gjithë veprën, apo edhe një pjesë të rëndësishme të veprës së tij dhe, sidomos, kur flitet për autorë të rinj. Eshtë e vështirë të blesh shumë libra apo të dish se nga të fillosh. Antologjia është një fillim i duhur. Le të mos harrojmë se një antologji nuk mund të jetë plotësisht objektive. Ajo reflekton gjithmonë preferencat e autorit. Askush nuk mund të thotë se kjo apo ajo antologji prezanton poezinë më të mirë, pasi kjo nuk do të ishte aspak e vërtetë. Të pranosh kufizimet që ka një antologji besoj se është e dobishme, kjo edhe për lexuesit e rinj, pasi, në rastin tim, unë e njoh më shumë poezinë se një 20-vjeçar. Pra, antologjia ime thjesht u tregon më të rinjve se ku mund të gjejnë informacion për disa poetë që ata duan të njohin.

Aktualisht, në vendin tonë zëri i kritikës jo vetëm në poezi por edhe në fusha të tjera të artit, është ende i “dobët” dhe madje në shumë raste inekzistent…

Një nga mënyrat e të bërit kritikë është të drejtuarit e pyetjeve. Në vendin tuaj disa gjenerata janë rritur nën një regjim ku nuk mund të bëheshin pyetje. Gjatë periudhës së diktaturës, kritikët tuaj kanë qenë gati-gati zyrtarë, të cilët nuk jepnin thjesht mendimin e tyre, por pozicionin e sistemit, pa patur mundësinë të bëjnë kritikë individuale. Pra, janë këto gjenerata të reja që po vijnë, të cilat do të ndryshojnë gjërat, të cilat do të nxjerrin kritikë që veprojnë si individualitete, që do të bëjnë pyetje…Pra, nese do të më pyesnit mbi mënyrën e të bërit kritikë, do të thoja se pozicioni më i mirë, është të jesh skeptik dhe të bësh pyetje, por natyrisht, të përpiqesh të zgjerosh sa më shumë njohuritë e tua, duke lexuar vazhdimisht.

A mendoni se artisti duhet të jetë aktiv në jetën politiko-sociale të vendit të tij?

Besoj se artisti, nga vetë përkufizimi i termit, është në opozitë të hapur me shtetin. Artisti në vetvete është shprehja e individualitetit, është ai që ngre probleme dhe bën pyetje dhe është shteti ai që duhet të përgjigjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›