E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu refuzon Suedinë: S’duam misione ndarjeje

Prishtina zyrtare ka refuzuar propozimin e ministrit të Jashtëm të Suedisë, Karl Bilt. 

 Sipas tij UNMIK-u duhet të vazhdojë të mbetet në vendbanimet serbe, edhe pas përfundimit të rikonfigurimit të misionit ndërkombëtar. Kjo deklaratë u vlerësua si e papranueshme edhe nga kreu i shtetit, Fatmir Sejdiu. "Propozime të tilla, që mund të nxisin temën e ndarjes së Kosovës, janë të papranueshme për Prishtinën zyrtare", tha Sejdiu, i cili shpjegoi më tej se në Kosovë nuk mund të ketë dy misione ndërkombëtare të ndara sipas etnive. "Në Kosovë nuk mund të ketë dy misione të ndara, të mbikëqyrjes për secilën etni dhe në natyrën më të keqe të inicimit të temave të ndarjes së Kosovës, apo pjesës së izoluar nga tërësia", tha Sejdiu. "Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe nuk dua të komentoj qëndrime që janë jashtë asaj pjesë të qëndrimeve të përbashkëta ndërkombëtare. Unë kam qenë në Këshillin e Sigurimit dhe është bërë debati si është bërë dhe dihet natyra e këtij procesi të paraparë edhe me vetë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me letrën që na e ka dërguar dhe presim që ky proces të përfundojë shumë shpejt, dhe siç është parashikuar në tetor të barten kompetencat në EULEX", theksoi presidenti Sejdiu. Ndërkohë edhe shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Iv dë Kermabon, e ka kundërshtuar ndarjen e Kosovës në zona të përgjegjësisë së UNMIK-ut dhe EULEX-it. "Për sistemimin e të gjithë misionit nevojiten përafërsisht 120 ditë dhe unë shpresoj që në vjeshtë, nga fundi i tetorit, do të vëmë atë në funksion të plotë", tha Kermabon për një agjenci ruse të lajmeve duke sqaruar se misioni i BE-së gradualisht do të zëvendësojë UNMIK-un dhe ato "do të bashkekzistojnë vetëm në periudhën tranzitore", që të mos ketë boshllëk kohor. "Tani të gjithë territorin e Kosovës e kontrollon UNMIK-u, por kur ne do të jemi të gatshëm të marrim përsipër nga ata stafetën, EULEX do të punojë në të gjithë territorin e Kosovës", tha Kermabon, duke shtuar se është "kategorik kundër ndarjes së Kosovës në zona të përgjegjësisë së UNMIK-ut dhe në zonën e përgjegjësisë së EULEX-it". Por serbët e Kosovës të nxitur nga Beogradi nuk e pranojnë misionin EULEX duke e quajtur atë ilegjitim, me protesta që kanë shkuar deri në sulmin e zyrave të përfaqësuesve të parë civilë të këtij misioni në Mitrovicë. Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se për Beogradin UNMIK-u është i vetmi përfaqësues legjitim i komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, ndërsa për EULEX-in, ai shprehet se "nuk ka bazë juridike për veprim". "Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me UNMIK-un dhe qëllimi im është që çdo ditë të kemi kontakte me UNMIK-un dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, të cilat në mënyrë legjitime dhe juridike veprojnë në Kosovë", tha Bogdanoviç.

FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim do të shqyrtohet "në një kohë të duhur", duke e pranuar atë si shtet të ri të pavarur. "Ishte vendosur se Kosova është ndarë nga Serbia si shtet i ri i pavarur dhe se Serbia është shtet më vete", thuhet në njoftimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Medvedev
Presidenti i Rusisë, Dmitrij Medvedev, ka deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Medvedev pohoi se, "për BE, Kosova është njësoj si Iraku për SHBA". "Në rastin e Kosovës janë shkelur ligjet ndërkombëtare si parim themelor i ekzistencës së shteteve dhe zhvillimit të proceseve evropiane e botërore", tha ai.

"Jo pasaportave"
Pasaportat e reja të Republikës së Kosovës janë të papranueshme për serbët e Kosovës. Përfaqësuesi i serbëve, Oliver Ivanoviç, tha se për serbët të vetmet dokumente të vlefshme janë ato të lëshuara nga Republika e Serbisë. Ivanoviç tha se nxjerrja e pasaportave me mbishkrimin Republika e Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›