E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo si minatorët, do fenerë për stërvitje

Nga ANDI MATRAXHIU

Trajneri Faruk Sejdini ngre zërin për kushtet e stërvitjes, të cilat zhvillohen në errësirë në fundin e saj

Dinamo ka vazhduar normalisht stërvitjen e saj në kompleksin blu. Stërvitja ka startuar në orën 17:00 dhe ka përfunduar rreth orës 19:00. Por ajo që ra në sy në këtë seancë ishte mungesa e shikimit në 30 minutat e fundit. Blutë janë stërvitur në errësirë të plotë, larg nga tifozët dhe gazetarët, apo njerëz të ndryshëm, që nuk arrinin të dallonin asgjë.

Të kontaktuar, trajneri Sejdini dhe administratori Saliu kanë ngritur zërin për këtë problem: I kemi kërkuar të na afrojnë orarin e stërvitjes, por askush nuk dëgjon. Duket qartë që ka dashakeqësi dhe aspak dashamirësi nga funksionarët e Agjencisë së Sporteve pranë MTKRS. Nuk dimë nga tia fillojmë më e nga ta mbarojmë, pasi është vërtet e mjerueshme që skuadra të mos ketë kushtet minimale për stërvitje.

Ju mund ta shikoni edhe vetë si media ku zhvishen dhe ku lahen futbollistët tanë. Ndërkohë që na duhet të marrim një gjenerator për të përfunduar seancën stërvitore, pasi siç e patë edhe vetë në fund, errësira na e bëri të pamundur të vazhdojmë punën tonë. Kishim programuar një tjetër ecuri të seancës stërvitore dhe kur vjen puna nuk arritëm ta zbatojmë.

Dikush duhet të vërë dorën në zemër për Dinamon, por deri tani ne jemi vërtet në kushte mjerane. Po mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, por kështu është e vështirë. Mbase futbollistët duhet ti pajisim me kokore të minatorëve, të cilat kanë mbi kokë një dritë të vogël, në mënyrë që ndriçohen futbollistët me njëri-tjetrin. Ne flasim për standarde, por në të vërtetë kemi shumë probleme.

Është vërtet e turpshme të punojmë në këto kushte. Mund të shikoni në këto momente katin e tretë të hotelit të klubit, ku ska asnjë dritë të ndezur. Pra, duket qartë që kërkohet të veprohet me dorë të zezë ndaj Dinamos. Kemi kontaktuar për të ndryshuar orarin e stërvitjes, por na është bërë e ditur se është e pamundur.

Këtu stërviten shumë ekipe përpara nesh, kur dihet se Dinamo ka një rëndësi të veçantë, duke qenë dhe skuadra e parë. Por tashmë ne kemi dalë të fundit në listë. Stërvitja duhet të nisë në orën 17:00, kur tashmë nata po merr nga dita dhe do ta kemi të pamundur të stërvitemi në errësirë.

Ju thashë që duhet të bëhemi si minatorët që të stërvitemi. Për sa i takon stërvitjes, ajo ka qenë në ritme të shpejta. Trajneri Faruk Sejdini dhe zëvendësi i tij, Artan Mërgjyshi, i kanë qëndruar në kokë skuadrës. Ndihet mungesa e trajnerit të portierevë, Ilir Bozhiqi, i cili është grumbulluar në kombëtaren e Shqipërisë në kuadër të 2 sfidave ndaj Francës dhe Rumanisë.

Sejdini: Nuk kam ardhur të përjashtoj lojtarë

Në ambientet dinamovite dje kanë qarkulluar zëra se trajneri Faruk Sejdini ka përjashtuar kapitenin Bekim Kuli dhe disa futbollistë të tjerë të skuadrës për mungesa gjatë seancës stërvitore. Por vetë trajneri dhe protagonistët kanë shuar çdo dilemë. Nuk kam ardhur të përjashtoj lojtarë te Dinamo, ishte një acarim momenti,- tha Xhaxhi.

Ndërkohë që Kuli shpjegon: Ka pasur ndonjë keqkuptim, pasi kisha lajmëruar stafin që isha në gjendje gripale. Dy futbollistët shkodranë Kraja dhe Hoti kanë pasur probleme gjatë udhëtimit të tyre me makinë nga Shkodra drejt Laçit dhe pasojë kanë vënë në dijeni stafin blu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›