Dushku:Ky ekip fiton në Shkodër, titull dhe kupë i duam të dyja
Nëntë pikë në pesë javë tregojnë se jemi OK. Përpara kemi një provë zjarri me Vllazninë, që duhet kaluar patjetër me sukses
Të gjithë te Tirana tashmë kanë filluar ti bëjnë mirë llogaritë, sepse gara sa vjen e po bëhet e bukur, por edhe interesante nga java në javë. Mbrojtësi Erjon Dushku, pas fitores me kuqezinjtë me rezultatin 2-0, beson se skuadra e këtij sezoni është e ndërtuar për trofe. Megjithatë, sipas Dushkut, është ende shumë herët për të folur, sepse tashmë fillojnë ndeshjet e zjarrit për Tiranën, ku do të duket edhe forca e vërtetë e bardhebluve.
Në një prononcim që ka dhënë dje enkas për Sportin shqiptar, Erjon Dushku ka folur për momentin e mirë që po kalojnë bardheblutë, shortin e kupës si dhe ndeshjen me Vllazninë që do të luajnë në javën e ardhshme në Shkoder: Fitorja me Flamurtarin tregoi edhe një herë oreksin që ka skuadra jonë në çdo ndeshje për ta fituar.
Tri pikët ndaj vlonjatëve na japin besim për të ardhmen dhe suksesi ka ardhur në momentin e duhur, sepse përpara kemi një nga transfertat më të vështira të sezonit. Në Shkodër luhet futboll, por ne do të shkojmë për të fituar. Vetëm pas ndeshjes me Vllazninë do të fillojmë të flasim për titullin. Në qoftë se marrim tri pikë në Loro Boriçi, konsolidojmë pozitat në krye të klasifikimit, – u shpreh fillimisht Erjon Dushku.
Titulli Duhet që ti marrim ndeshjet një nga një dhe të fitojmë edhe me rivalët tanë në shtëpinë tonë, por edhe jashtë. Çdo përballje ka specifikën e vet, kundërshtarët ndryshojnë nga njëri-tjetri. Por duke parë harmoninë që ekziston në ekipin tonë, investimet dhe mbështetjen e drejtuesve dhe tifozëve, kolektivin, lojtarët cilësorë dhe me eksperiencë të cilët këtu nuk mungojnë, të krijohet bindja se kjo Tiranë është e ndërtuar për të shkuar dhe për të marrë titullin.
Ndryshimi: Sezonin e shkuar, bardheblutë e morën veten me vonesë, madje në katër javë grumbulluan vetëm pesë pike, kurse tashmë kanë nëntë pikë dhe janë në krye të renditjes. Sipas Dushkut, ndryshimi ka ardhur sepse drejtuesit arritën të ndërtonin një skuadër me ambicie dy muaj para se të startonte kampionati.
Ndryshe nga vjet, kur skuadra e mori veten pas javës së kartërt, këtë vit ne e i dhamë sinjalet qysh në Kupat e Europës, ku bëmë një lojë dinjitoze dhe më pas fituam Superkupën. Kurse tashmë që kanë kaluar katër javë, ne jemi në krye të renditjes. Duket qartë dora e trajnerit Rubio, i cili ka arritur të ndërtojë një skuadër të denjë për trofe dhe me lojtarë të cilët luajnë në formacion nga vlerat që kanë dhe jo nga emri.
Kupa: Ndër të tjera, gjatë prononcimit që ka dhënë dje, Erjon Dushku ka folur edhe për shortin e kupës, që është hedhur dy ditë më parë. Sipas lezhjanit, Tirana ka shanse që të fitojë edhe trofeun e dytë për nga rëndësia, ndërsa duket e favorizuar për ta kaluar grupin. U njoha me shortin dhe kemi në grup ekipe si Apolonia, Shkumbini dhe Laçi. Tirana lufton për ti fituar të gjitha trofetë në çdo fillim sezoni, kështu që unë besoj se do tia dalim edhe në grupe. Nuk është çudi që të fitojmë edhe këtë sezon kupën.
Kombëtarja? Prisja një ftesë, megjithatë suksese
Erjon Dushku ka kohë që e pret një ftesë nga trajneri Josip Kuzhe, aq më tepër që ka dy sezone që luan titullar te skuadra e Tiranës. Kur e pyesim nëse ka hequr dorë nga kombëtarja, ai përgjigjet: Nisur edhe nga fakti që trajneri Kuzhe ka folur me nota optimiste për mua dhe e ka ndjekur Tiranën në disa përballje ku unë kam bërë paraqitje të mirë, unë e prisja një ftesë. Megjithatë, edhe pse nuk më ka grumbulluar, unë i uroj suksese. Më bëhet qejfi që janë grumbulluar edhe lojtarë të rinj për ndeshjen me Francën. Kombëtarja i ka dyert e hapura për çdo futbollist që luan mirë. Unë do të jap maksimumin dhe i takon trajnerit Kuzhe të vendosë se kë merr dhe kë jo në përfaqësuese.
2 Sezone ka mbrojtësi Erjon Dushku që aktivizohet si titullar në radhët e skuadrës së Tiranës
2 Trofe ka fituar Dushku me bardheblutë brenda një sezoni, fillimisht Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën
1 Gol ka shënuar këtë sezon lezhjani, pikërisht në transfertën me Kastriotin e zhvilluar në javën e dytë në Krujë, ku u dha fitoren kryeqytetasve
Sulmi, pika e fortë e bardhebluve me 5 gola
Tirana e këtij sezoni edhe pse në pamje të parë luan me një sulmues të mirëfilltë, Balën, prapa tij qëndrojnë edhe Gilman Lika apo Heples. Por ajo që po vihet re në këto katër javë është funksionimi i repartit ofensiv, madje Bala deri më tani ka shënuar tre gola, po ashtu e kanë gjetur rrugën e rrjetës edhe partnerët e tij, Gilman Lika dhe Mario Morina.
Duket se efekti Rubio po bën punën e vet edhe në sulm, sepse spanjollit i pëlqen që të luajë me një pykë, por edhe me dy apo tre sulmues të tjerë të maskuar që vihen edhe në shërbim të mesfushës. Në katër javë që kanë kaluar bardheblutë kanë shënuar jo pak, por tetë gola, pra një mesatare prej dy golash në ndeshje. Ndërkohë që gjashtë janë shënuar nga sulmuesit.
Deri më tani kanë shënuar tre gola Bekim Bala, dy gola Gilman Lika dhe një sulmuesi Mario Morina. Një tredhëmbësh i frikshëm, që edhe pse asnjëherë nuk ka luajtur bashkë deri më tani, ka treguar se këtë sezon janë vërtet për tu pasur frikë nga çdo mbrojtie kundërshtare.
Bala dhe Karabeci, të gatshëm në Loro Boriçi
Dy nga titullarët e dëmtuar të skuadrës së Tiranës, sulmuesi Bekim Bala, i cili theu hundën ndaj Pogradecit në ndeshjen e javës së tretë, dhe mesfushori Erando Karabeci, i cili u dëmtua në shpatull gjatë përballjes me Flamurtarin javën që shkoi, do të jenë të gatshëm në përballjen me Vllazninë.
Bala duket se nuk ka më shqetësime në hundë dhe gjendja e tij po përmirësohet, madje është grumbulluar edhe nga Shpresa, ndërsa Karabeci, edhe pse u dëmtua të dielën, do të jetë në dispozicion të trajnerit Rubio në përballjen që do të zhvillohet pas një jave e gjysmë në Loro Boriçi.
