Josa:Humbja me Kastriotin nuk duhet kaluar lehtë
Edhe trajneri i Vllaznisë kërkon që dështimi në ndeshjen e fundit të mos kalohet kollaj, por të analizohet dhe të nxirren gabimet
Takimi i humbur në Krujë fundjavën e kaluar nuk do të kalojë pa u analizuar mirë në kampin shkodran. Përveç pakënaqësisë dhe akuzave ndaj gjyqtarëve, drejtuesit e Vllaznisë kërkojnë të ndalen edhe te gabimet e veta dhe, për këtë arsye, të martën është zhvilluar një analizë e shkurtër e kësaj ndeshjeje, ndërkohë që analiza më e gjerë pritet të zhvillohet sot.
Këtë e ka bërë të ditur vetë trajneri Mirel Josa në një prononcim të djeshëm për Sportin shqiptar, kur ka thënë: Ndeshjet gjithmonë analizohen dhe këtë gjë e kemi bërë edhe këtë radhë pas ndeshjes me Kastriotin. Kam folur pak minuta ditën e martë me skuadrën dhe do të bisedojmë gjerësisht nesër (sot) për të analizuar gjithçka ndodhi në atë ndeshje.
Kuptohet që gjykimi ka pasur rolin e tij negativ në atë humbje dhe këtë e kemi thënë tashmë, por unë nuk do merrem shumë me këtë çështje, sepse janë drejtuesit e klubit ata që i dalin për zot. Unë ndalem te problemet e skuadrës dhe në fakt kemi pasur jo pak probleme në këtë ndeshje.
Në disa momente kemi bërë gabime foshnjarake dhe këto i duhen bërë të qartë futbollistëve për të mos i përsëritur më. Po ashtu, në pjesën e dytë, kur kundërshtari mbeti me 10 futbollistë, ne nuk patëm qetësinë e duhur për ta vënë atë nën presion, prandaj dhe nuk arritëm të marrim qoftë edhe barazimin.
Ndërprerja Ndërkohë, kampionati është ndërprerë për shkak të ndeshjeve të kombëtares dhe ndoshta kjo është një mundësi e mirë që Vllaznia të harrojë problemet e saj dhe të bëhet gati ndeshjen me Tiranën. Trajneri Josa, duke folur për këtë ndërprerje, është ndalur te motivimi që duhet të kenë futbollistët e tij e gjatë këtyre ditëve të pragndeshjes.
Ndërprerja ndoshta ka ardhur në kohën e duhur për ti bërë një analizë të hollësishme ecurisë së deritanishme, por ndërkohë duhet të bëjmë kujdes që kjo ndërprerje dyjavore të mos ulë ritmin e stërvitjes dhe dëshirën për ta bërë këtë gjë te sportistët, sepse në prag kemi një ndeshje shumë të rëndësishme me Tiranën dhe të gjithë vëmendjen duhet ta kemi te kjo ndeshje shumë e rëndësishme,” – ka shtuar Josa.
Kupa I pyetur në lidhje me shortin e turit të dytë të kupës, trajneri i Vllaznisë nuk ka dashur shumë të flasë për kundërshtarët sesa të ngrejë një problem që ai mendon se do ta shqetësojë ekipin e tij. Ka të bëjë me domosdoshmërinë në dispozicion të një numri sa më të madh lojtarësh, sepse tani e tutje do të luhet dy herë në javë.
“Sa i takon kupës, ajo do ketë një specifikë të veçantë, sepse ka një numër më të madh ndeshjesh dhe tani do luhet dy herë në javë, të mërkurën dhe të shtunën. Kjo gjë kërkon një numër të madh lojtarësh në dispozicion, prandaj dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes për t’i alternuar lojtarët, në mënyrë që në të dy kompeticionet të bëjmë më të mirën,” – ka thënë Josa.
Popoviç, Gocaj e Hasani mungojnë në stërvitje
Një seancën e djeshme stërvitore të Vllaznisë ka rënë në sy mungesa e disa prej lojtarëve të saj. Kështu, përveç Sykajt të grumbulluar me kombëtaren, nuk janë stërvitur me ekipin edhe disa futbollistë të tjerë. Gocaj ka qenë prezent në stërvitje, por nuk është zhveshur, sepse ka pasur dhimbje barku.
Ndërkohë kanë munguar malazezi Popoviç, që ka pësuar një dëmtim në gju në ndeshjen me Kastriotin, si dhe Hasani, edhe ky i dëmtuar prej kohësh. Dje kuqeblutë kanë zhvilluar vetëm një seancë, ndërkohë që sot do kenë dy të tilla.
