Mikel Koroveshi: Naftëtari do qëndrojë në të Parën
Stafi i ri teknik kuçovar do të mbështetet në sezonin e ri 2012-2013 vetëm te futbollistët vendas. Pas eksperiencës së sezonit të kaluar, ku numri i futbollistëve jo kuçovarë ishte i madh, këtë herë është menduar të ndryshohet strategji, duke u mbështetur pothuajse te elementi vendas. Për fat të mirë, pothuajse i gjithë kontigjenti i kësaj kategorie futbollistësh, kanë pranuar bashkëpunimin me Naftëtarin, duke sakrifikuar jo pak dhe në planin financiar. Mungon sulmuesi Redon Lila, i cili ndoshta mund të rikthehet përsëri te Naftëtari. Ndërkohë, mësohet se mund ketë edhe disa përforcime, kryesisht nga fqinjët e Tomorit, por gjithsesi mbështetja do të jetë te futbollistët vendas. Kontigjenti i tanishëm mund të përballojë me sukses Kategorinë e Parë, pavarësisht se ky sezon do të jetë shumë i vështirë, për vetë emrat e skuadrave pjesëmarrëse. Zv. trajneri kuçovar, Mikel Koroveshi, shprehet me superlativa për grupin e futbollistëve që po stërvitet aktualisht te Naftëtari. Ai mendon se duhet pasur besim te grupi aktual. ”Shpresojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë në kampionatin e ardhshëm. Kemi në dispozicion një grup futbollistësh mjaft cilësorë, me dëshirë për tu stërvitur dhe mbi të gjitha me ambicie të mëdha për tu përfaqësuar denjësisht në Kategorinë e Parë. Kemi më pak se dy javë që kemi filluar stërvitjen dhe atmosfera brenda grupit është pozitive. Procesi stërvitor po zhvillohet normalisht, ku shumë shpejt do të kemi dhe ndeshje miqësore. Ne do të vazhdojmë punën me ritme të larta dhe jemi të bindur që grupi aktual nuk do të zhgënjejë. Rikthehemi pas tri sezonesh në Kategorinë e Parë dhe entuziazmi është në shkallën maksimale. Objektiv primar kemi qëndrimin në këtë kategori dhe mendoj se do ta realizojmë me sukses qëllimin që i kemi vënë vetes.
