Kryebashkiaku Bici: Kjo skuadër më e mira në gjithë historinë e Gramshit
Nga ARTAN PAJA
Kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, njëherazi dhe presidenti i klubit shprehet se ekipi i këtij sezoni është më i miri i ndërtuar gjatë këtyre viteve, duke bërë që synimet e klubit për fillim sezonin e ri të jenë sa më pranë kreut të tabelës së klasifikimit. Me një ndryshim të dukshëm nga sezoni i kaluar, kur kjo skuadër kishte si objektiv 6 vendet e para, këtë radhë kryebashkiaku Bici kërkon arritjen e katër vendeve të para në kampionat. Deri tani Gramshit i janë afruar 5 lojtarë, siç janë, Kuçi, Çapja, Mehmetaj, Basriu dhe Bella, ndërsa po haset vështirësi për transferimin zyrtarisht edhe të portierit Festim Miraka, i cili është bllokuar nga marrja e leje-kalimit prej skuadrës së Tërbunit. ”Është duke u ndërtuar një ekip, që unë pa asnjë dyshim do ta klasifikoja si më të mirën e gjithë historisë së futbollit të këtij qyteti. Vazhdojnë bisedimet për afrimin e tre lojtarëve cilësorë dhe besoj se deri në fundjavë do të qartësojmë edhe më mirë vendimet e përbashkëta. Jam në kontakte të vazhdueshme, pothuajse çdo orë me të rejat dhe ndryshimet që ndodhin në ekip, ndërsa stafi teknik është duke punuar me seriozitet të lartë në përgatitjen e futbollistëve. Trajneri Mustafaraj jep vazhdimisht garanci për prurjet e reja, duke na bindur edhe më tej për objektivin që ne do të kemi për kampionatin e ri.”,-u shpreh Kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici. Ndërkaq, ashtu siç është njoftuar edhe më parë, kompania austriake Devoll Hidro-Poull ka bërë edhe dhuratat e para skuadrës, duke e pajisur atë me një autobus të ri, i cili do të jetë në dispozicion për takimet në transfertë.
