Dinamo, trajneri Zhupa shton dozat në seancat stërvitore
Puna për ngjitjen e bluve në Superligë po vazhdon me intensitet edhe në Strugë, ku prej tri ditësh po kryen përgatitjet për sezonin e ri
Nga ANDI TANKU
Dinamo prej disa ditësh ndodhet në Strugë, ku po zhvillon atje fazën përgatitore para startit të sezonit të ri. Stafi teknik, së bashku me atë mjekësor dhe futbollistët e grumbulluar janë duke punuar me një impenjim maksimal dhe me seriozitetin të lartë për të qenë gati për sfidat që do të zhvillohen gjatë kampionatit të ri. Stërvitja intensive dy herë në ditë me aparatura bashkëkohore, si edhe vëzhgimi nga ana e stafit mjekësor hap pas hapi në çdo moment, të secilit futbollist ka dhënë rezultatet e pritshme. Sistem mycoach i përdorur nga trajneri Eduard Zhupa lejon një mbikëqyrje të plotë dhe të saktë të kontingjentit që është pjesë e organikës së Dinamos. Gjithashtu, përdorimi i sistemit polar gjatë stërvitjes bën të mundur, që në çdo moment të kontrollohet funksioni i aparatit kardiovaskular nga Dr. Jorlen Lulo, i cili është edhe mjeku i ekipit. Ai mban nën mbikëqyrje të rreptë çdo parametër mjekësor të lojtarëve dhe është duke bërë një punë të admirueshme me ta, kjo si nga ana psikologjike ashtu dhe nga ajo dietike .Pasi iu nënshtruan të gjitha analizave të mundshme, në një prej laboratorëve me të njohur të Tiranës, çdo futbollist është trajtuar në mënyrë të veçantë për sa i përket dietës ushqimore, por edhe përgatitjes fizike. Disa probleme me mbipeshën, që u vunë re me lojtarët e huaj u anashkaluan me sukses. Që prej tre ditësh, Dinamo po i zhvillon seancat stërvitore në një qendër të njohur fitnesi në Maqedoni, ku veç të tjerave janë bërë edhe testimet e Vo2 absolut dhe relativ nën mbikëqyrjen e Dr.Jorlen Lulos, si dhe përgatitësit fizik Nexhmedin Krasniqi. Ky i fundit së bashku me zv. trajnerin Luan Qosja po japin maksimumin e tyre pranë trajnerit të parë Eduard Zhupa, që objektivi kryesor, ai i ngjitjes në Superligë të realizohet me sukses që këtë vit. Gjithashtu, këtij stafi nuk mund ti veçohet as kontributi i dhënë nga ana e përgatitësit të portierëve, Llazi Gjika, si dhe logjistika e drejtuar nga Kadri Stroka.
Miqësoret Gjatë gjithë këtyre ditëve të qëndrimit të Dinamos në Maqedoni skuadra ka zhvilluar edhe disa miqësore.
Ndeshja e parë më 13. 08 12 në orën 17.30 në stadiumin e Qytetit të Strugës: Dinamo Karaormani 4-0
Ndeshja e dytë më 14.08 12 në orën 17.30 në stadiumin e Qytetit të Ohrit: Ohri-Dinamo 0-0
Ndeshja e tretë më 15.08 12 në orën 17.30 në stadiumin e Qytetit të Strugës: Karaormani Dinamo 1-3
Futbollistët, të cilët janë aktivizuar më shumë minuta, sipas formacionit që ka përdorur trajneri Zhupa ka qenë: Lamellari, A.Kule, Kalici, Likmeta, Rexhepi, Kënga, Tiago, Serjani, Sulejmani, Ferraj dhe Hamzaj. Ndërkohë, ata që kanë pasur disi më pak minuta në dispozicion se të tjerët, por jo më pak kontribut në rezultatet e arritura në këto takime të zhvilluara në Maqedoni kanë qenë: Bukri, Morina, Traga, Kule, Njebza, De Santos, Jazxhi, Cankja, Killo, Nilton, Shtishi, Naska, Shaqiri, Muça. Aktualisht në përbërje të Dinamos ndodhen 32 futbollistë, por nga burime brenda klubit mësohet se ky numër do të reduktohet në 20. Kjo pas përzgjedhjes që do të bëjë trajneri Zhupa dhe stafi teknik që ai drejton.
