E Diel, 1 Nëntor 2026

Skrapari fillon stërvitjen, trajneri Spahiu kërkon rikthimin në të Parën

Nga ARBEN ÇEPANI

Nën drejtimin e dyshes Spahiu-Lamçe, Skrapari pas një periudhe relativisht të gjatë ka filluar përgatitjet për sezonin e ri. Skuadra do të konkurrojë këtë vit në Kategorinë e Dytë. Momentalisht, kontingjenti i futbollistëve përbëhet nga ata vendas, që vinë nga ekipet zinxhir. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë afrime nga skuadrat e prefekturës. Stërvitja po kryet në Çorovodë dhe mësohet se pjesë e stafit teknik do të jetë dhe Muharem Baze, ish-futbollist i Skraparit. Ai do të ketë rolin e konsulentit dhe rikthimi i tij pranë skuadrës mendohet të ketë një ndikim pozitiv. Trajneri Albert Spahiu vlerëson me nota pozitive fillimin e fazës përgatitore dhe shprehet se do të përqendrohen te elementi vendas. Kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri, ku do të kërkojmë maksimumin në kampionatin e ri që starton së shpejti. Objektiv kemi rikthimin e shpejtë në Kategorinë e Parë. Jemi skuadër e re, por me ambicie të mëdha. Me mbështetjen e donatorit kryesor që është Bashkia mund të realizojmë synimet tona. Natyrisht kemi shumë punë për të bërë, pasi jemi në hapat e para. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe jemi në kërkim të ndonjë kundërshtari për të zhvilluar edhe takimet miqësore, të cilat do të na nevojiten për të parë edhe gjendjen e lojtarëve që kemi në dispozicion,- përfundon numri 1 i stolit të Skraparit, Albert Spahiu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›