E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenis-Sinisinat kualifikohen Federer dhe Gjokovic

Numri 2 i botës, Novak Gjokoviç, nuk e pati aspak të vështirë ndeshjen e turit të tretë në turneun e tenisit në Sinsinati. Edhe pse serbi këtë sezon nuk është në nivelet e vitit të kaluar, pasi ka fituar vetëm Australian Openin, sërish fitoi vetëm pas një seti ndaj rusit Nikolaj Davidenko, ndërsa kundërshtari u tërhoq më pas për shkak dëmtimi. Gjokoviç fitoi setin e parë 6-0 dhe pastaj ndeshjen pa vazhduar setin e dytë.
E papritura e madhe gjithsesi ishte aty pranë turneut amerikan. Kampioni olimpik, Andi Marrej nga Britania e Madhe, u thye në dy sete nga francezi Zheremi Shardi. Numri 38 i botës i fitoi të dy setet me rezultat të njëjtë 6-4 dhe përfitoi nga shërbimi jo aq i fortë i skocezit, i cili ishte ende nën efektin e lavdisë olimpike, ndërsa ishte fituesi në fuqi në Sinsinati.

Numri 1 i botës, Rozher Federer, nga ana tjetër, pati nevojë vetëm për 62 minuta lojë për të mundur australianin 19-vjeçar Bernard Tomiç me rezultatin 2-0 me sete: 6-2 e 6-4.

Në çerekfinale, Federer do të luajë ndaj amerikanit Mardi Fish, Gjokoviç do të jetë përballë kroatit Marin Çiliç, Shardi do të luajë kundër argjentinasit Huan Martin Del Potro, ndërsa çerekfinalja tjetër do të jetë ajo mes kanadezit Millosh Raoniç dhe zviceranit Stanislav Vavrinka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›