E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enigma Rubio tek Tirana

Hulian Rubio Sançez ka qenë gjithnjë një i pëlqyer i Tiranës. Veçse, në këtë dashuri, sikur po dallohen plasaritje dhe shenja më e qartë për këtë është vonesa në nënshkrimin e kontratës 2-vjeçare për të cilët fillimisht u tha se u ra dakord.
Burime në klub pohojnë se trajnerit spanjoll nuk i ka pëlqyer heqja e shpërblimeve për fitoret, diçka që ka qenë në fuqi deri në sezonin e kaluar, ndërsa bardheblutë nuk janë të kënaqur që Rubio Sançez nuk pranon titullin kampion si kusht për të marrë përfitimin e plotë financiar. Arsyetimi i spanjollit është se nuk ka garanci që konkurrimi në kampionat do të jetë krejtësisht i pastër.
Skena në konferencën e shtypit në qershor duket se ishte një mbulesë për problemet që ishin prapa perdeve, aq më tepër që Tirana do të luante në Ligën e Europës. Në atë kohë, ndryshe nga sa u deklarua, trajneri firmosi vetëm për pak javë.
Bordi drejtues i Tiranës mblidhet sot dhe besohet se një nga çështjet që do të diskutohet është edhe e ardhmja e trajnerit. Veçse, duket pak vonë për të bërë hapa prapa dhe të dyja palët besohet se janë të detyruara të bëjnë një kompromis.
Hulian Rubio Sançez e drejtoi Tiranën sezonin e kaluar duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën dhe duke dalë në vend të tretë në kampionat, veçse shumë pranë Skënderbeut e Teutës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›