E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nurishmi: “Përjashtimi i Duros? Tirana të sjellë akuzat”

Kërkesa e 23-herë kampionëve të Shqipërisë, klubit të Tiranës për përjashtimin e tre lojtarëve Klodian Duro, Endri Vrapi e Ervis Sina nga ekipi Kombëtar për prishje të imazhit, nuk është parapëlqyer shumë jo vetëm nga futbollistët, por një kundërreagim bëri edhe Federata Shqiptare e Futbollit.
Në fakt, vendimi përfundimar i përket trajnerit të Kombëtares, holandezit Ari Han. Sipas zëdhënësit të Federatës, Lysjen Nurishmit, "qeveria" e futbollit shqiptar nuk mund të ndërhyjë në vendimet e teknikut. "Përderisa asnjë nga këto akuza nuk është vërtetuar, - tha Nurishmi, - ne nuk mund të bëjmë asgjë për të plotësuar kërkesën e klubit të Tiranës. Nuk është në kompetencën tonë që të ndërhyjmë në vendimet e trajnerit të kombëtares për sa i përket përzgjedhjes së futbollistëve që do të jenë pjesë e formacionit".
Nurishmi jep edhe një këshillë: "Nëse klubi i Tiranës ka akuza konkrete në lidhje me kërkesën e bërë, atëherë duhet të na i cojë". Treshja e lojtarëve të Tiranës u pezullua menjëherë pas humbjes në finalen e Kupës. Kombëtarja do të luajë një ndeshje miqësore me Poloninë, më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë, ndërkohë që në përgatitje e sipër 21-28 maj, kuqezinjtë mund të luajnë edhe një miqësore me zviceranët e Shafhauzenit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›