Dinamos i mungon një “Pirlo”
Leonard Karaj
Është një Elis Bakaj në qiellin e shtatë. Natyrisht jo vetëm për shkak të kryesimit të skuadrës së tij, Dinamos në Superligë, por edhe për kryesimin e tij personal tek golashënuesit. Bakaj ka shënuar 4 gola në 5 ndeshje, duke lëshuar haptazi sfidën për “Këpuca e Artë”. Por më shumë se kaq atij i intereson titulli kampion edhe pse sipas tij Dinamo ka nevojë ende për një futbollist që të qarkullojë mirë topin dhe të lidhë mbrojtjen me sulmin. Në një intervistë publikuar në faqen personale të internetit, Bakaj ka bërë edhe prognozën e ndeshjes me Shkumbinin.
Elis një fitore me vlera të shumëfishta për ty ndaj Shkumbinit?
Normalisht shkoj shumë mirë. Gjërat rrodhën më mirë se çfarë e kisha menduar. Futbolli ndaj është i bukur se s’mund të parashikohet, pasi herë fiton dhe herë humbet. Shpresoj ta mbaj sa më gjatë këtë formë për të shërbyer edhe për skuadrën time. Kampionati është i gjatë dhe jo në çdo moment mund të jem në nivelet maksimale.
Goli i shënuar ishte një dedikim i veçantë apo thjesht për tifozët blu në përgjithësi?
Golin ia dedikova fansave blu, pasi futbolli pa tifozë nuk ka kuptim. Sa më shumë tifozë të jenë në stadium aq më mirë është për ne. Dinamo ka një numër normal tifozësh, por ata janë për t’u respektuar, pasi janë gjithmonë besnikë me skuadrën.
Duke lënë veç fitoren, a ka probleme skuadra juaj sipas këndvështrimit personal?
Them që kemi probleme në qarkullimin e topit, por kam bindjen që me kalimin e kohës ky problem do të kalohet. Na duhet një njeri që të lidh mbrojtjen me sulmin. Por më tepër rëndësi kanë tri pikët.
Hyrja e Kulit e ka zbukuruar lojën tuaj....
Goli i dytë ishte meritë e tij, pasi unë isha në pozicion që s’ma priste mendja që Kuli të më shërbente në atë moment. Fakti që ai nuk luan rregullisht në formacion s’më takon mua por është mirë që lojtarë të tillë kur futen bëjnë diferencën.
Rivaliteti?
Kampionati është i gjatë dhe s’mund të zgjidhet nga ndeshje direkte. Kam mendimin që ai ekip që do të ruaj ritmet në fund do të shpallet kampion. I rëndësishëm është fakti se ajo skuadër që do ketë më pak luhatje do shpallet kampione. Mendoj se kampionati nganjëherë fitohet edhe ndaj skuadrave të vogla.
Këtë javë udhëtoni në Laç...
Është ndeshje e vështirë si ajo me Shkumbinin, pasi e patë edhe vetë që midis skuadrave s’ka diferenca të mëdha. Unë nuk e di çfarë kanë thënë fierakët për këtë fushë, por mendoj se është ndryshe kur shkon Dinamo në Laç. Ata janë koshient për forcën tonë.