Dinjo e ul rrogën vetëm për objektiva të mëdhenj
Takimi i së hënës, mes Galianit dhe Roberto de Asis, ka sqaruar se Ronaldinjo do qëndrojë te Milani të paktën deri më 30 qershor 2011. Por tani fronti spostohet te rinovimi i kontratës, bazat e të cilit do të hidhen ditët e ardhshme, edhe pse firma ndoshta nuk do të vijë shpejt. Gjithsesi, menaxheri dhe administratori kuqezi kanë rënë dakord për freskim të situatës brenda fundjavës. Dhe ndoshta do të takohen në Londër, pasi nuk është për t’u përjashtuar prezenca e De Asis në Emirates Cup, ku do të marrë pjesë Milani. Palët i kanë bërë publike kushtet për zgjatjen e aventurës së Ronaldinjos. Milani, për shembull, ka bërë të qartë se kontrata e re parashikon një rrogë shumë më të ulët në krahasim me 9 milionët aktualë, që braziliani çoi në shtëpi këtë vit. Dinjo nuk do të përshtatet me çatinë e re prej 4 milionë eurosh, por mund të pranojë një propozim te rreth 6-7, me kusht që Milani të ofrojë garanci nga pikëpamja teknike. Në fakt De Asis dëshiron të jetë i sigurt se do të jetë pjesë e një projekti, i cili do të synojë gjithmonë objektiva të mëdha si titulli dhe Champions League. Pasi një vitrinë e tillë do të ishte ideale për të fituar rikthimin në Seleçao në perspektivën e Botërorit 2014. Pra, që nga 2011 e më pas, Ronaldinjo do të ishte i gatshëm të fitonte më pak, por vetëm duke luajtur në një Milan fitues. Një diskutim i tillë përfshin drejtpërdrejt edhe Pato e Thiago Silvën. Dinjo duket se ka ndërmend t’i propozojë Milanit të mos i shesë kurrë dy brazilianët e mësipërm, edhe pse për ta ka shumë kërkesa.
#