E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinjo, recetë për Milanin: Të kujdesshëm për 90 minuta

Fantazisti
Braziliani paralajmëron kuqezinjtë të mësojnë nga gabimet e takimit të parë

Morati e ka frikë. I trembet më shumë se gjithë lojtarëve të tjerë të Milanit. Megjithatë, Ronaldinjo e merr me sportivitet. E ka të qartë se është në formë të jashtëzakonshme, tre golat kundër Sienës i kanë dhënë më shumë besim dhe po pret me padurim që të luajë derbin për titull. Milani i tij ka një ecuri të shkëlqyer, ndjek ritmin brazilian dhe duket se të gjithë po argëtohen. “Jam i lumtur për momentin që po kaloj, tha Ronaldinjo për ‘Sky Sport’, por më tepër kënaqësi më japin rezultatet e skuadrës. Unë mundohem të ndihmoj shokët e mi, duke shënuar gola dhe duke dhënë asist: kjo është detyra ime, por nuk luaj i vetëm. I gjithë Milani po përjeton një moment të shkëlqyer, të gjithë po bëjnë më së miri punën e tyre dhe çdo gjë është më e lehtë”. Të gjithë besojnë se fantazisti do të jetë vendimtar të dielën, por Dinjo flet me modesti: “Të gjithë ata që luajnë në derbi mund të jenë vendimtarë. Unë jam i kënaqur që po kaloj një formë të mirë për këtë sfidë dhe do të jap maksimumin për të fituar”. 29-vjeçari i bëri thirrje skuadrës që të tregohet e kujdesshme, në mënyrë që të mos përsërisë gabimet e derbit të mëparshëm, ku Interi fitoi 4-0. “Duhet të jemi të kujdesshëm. Zikaltërit kanë një president të madh, një trajner të afirmuar dhe lojtarë të nivelit të lartë: ata janë një prej skuadrave më të forta në botë. Detyra kryesore është që të jemi gjatë gjithë kohës të përqendruar, në mënyrë që të evitojmë surprizat. Me pak kujdes gjatë 90 minutave nuk do të përsëritet ajo që ndodhi në takimin e fazës së parë. Në të kundërt, rrezikojmë sërish të dalim të humbur nga fusha e lojës”. Kundërshtari direkt i mesfushorit në fushë do të jetë miku i tij, Maikon: “Kur jemi bashkë nuk flasim për futboll. Për mua është gjithmonë një kënaqësi të kaloj kohën e lirë me të dhe mendoj se është lojtari më i mirë në botë për rolin ku luan”. Në fund, braziliani ka folur edhe për trajnerin Leonardo: “Ai më aktivizon në një pozicion ku kam luajtur për shumë vite te Barcelona. Të punosh me një trajner, të cilin njëkohësisht e ke edhe shok, është gjithmonë më e lehtë. Leo e di se çfarë është më e mira për mua dhe kjo më ndihmon. Kombëtarja? Për momentin jam 100 për qind i përqendruar te Milani”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›