Hetimet për blackout-in, derbi Tirana-Dinamo të luhet pa drita
Kategori Superiore
Por sipas mediave italiane, derbi Inter-Milan ka kushtëzuar derbin shqiptar
Zhbllokohet “Qemal Stafa”, por jo prozhektorët. Supersfida e javës së 18-të, derbi Tirana-Dinamo do të luhet ditën e hënë në “Qemal Stafa”, jo në orën 18:00 siç ishte paraprogramuar, por në orën 14:00 dhe pa drita. Impianti i ndriçimit i tempullit të futbollit shqiptar tashmë vazhdon të jetë nën hetimin e prokurorisë. Dje në mesditë kanë përfunduar hetimet e policisë në lidhje me fikjen e dritave në stadiumin “Qemal Stafa”, gjatë ndeshjes, Gramozi-Real Madrid. është bërë e ditur se, të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës dhe deri më tani shkaku i vetëm i ndërprerjes së energjisë ka qenë djegia e transformatorit. Por po dje, Perikli Dhales, ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa” është thirrur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë dëshminë e tij mbi çka ndodhi natën e 20 janarit. Prokuroria ka nisur hetimet mbi ndërprerjen e energjisë elektrike për 90 minuta në stadium, teksa luhej ndeshja miqësore Gramozi-Real Madrid.
Pranë organit të akuzës do të thirren dhe persona të tjerë, punonjës të tjerë të mirëmbajtjes së stadiumit dhe rrjetit elektrik të tij, por edhe punonjës të OSSH-së, të cilët kanë dijeni mbi ngjarjen që njollosi imazhin e Shqipërisë. Si pasojë e incidentit të shkaktuar gjatë ndeshjes Gramozi-Real Madrid, ku si pasojë e djegies së transformatorit që furnizonte me energji të katër kullat e ndriçimit, ndeshja u ndërpre për 90 minuta midis pjesës së parë dhe të dytë, tashmë derbi do të jetë i detyruar të mos luhet në orën 18:00 dhe me drita, sikurse ishte parashikuar, por të zhvendoset në orën 14.00.
Ndërsa sipas medias italiane, “Tuttomercatoweb.com”, thuhet se derbi i Milanos, Inter-Milan kushtëzon derbin e kampionatit shqiptar: “Tirana-Dinamo ishte paraparë të luhej të dielën në orën 18:00, por ai do të luhet një ditë më pas, të hënën, pasi të dyja skuadrat i trembeshin stadiumi të zbrazët. Vendimi u mor nga të dyja klubet dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit”. Faqja sportive italiane shkruan se Seria A është kampionati më i ndjekur në Shqipëri së bashku edhe me Premier Ligën Angleze dhe Ligën Spanjolle, ndeshje këto që transmetohen direkt.
Ndërkohë që Kategoria Superiore starton vitin futbollistik 2010 me ndeshjet e javës së 18-të. Gjashtë ndeshjet do të zhvillohen të ndara në tri ditë: të shtunën (1 ndeshje, 23 janar), të dielën (4 ndeshje, 24 janar) dhe të hënën (1 ndeshje, 25 janar). Shkumbini-Vllaznia do të hapë kë javë futbollistike sot me përballjen në Peqin
#