Morati: Ronaldinjo është i frikshëm
Derbi i Madoninës
Shnajder rrezikon, sëmuret një ditë përpara derbit. Stankoviç e Nesta në dyshimMungon vetëm një ditë nga ndeshja e shumëpritur në Serinë A, derbi i Madoninës. Një sfidë vendimtare, që në rast të fitores së Interit do të vulosë “vdekjen” e kampionatit, pasi do të ishte vërtetë e vështirë që rruga e zikaltërve drejt titullit kampion të komprometohej. Në anën tjetër, një fitore e Milanit do të rihapte garën. Tensioni është lehtësisht i kuptueshëm, ndërsa në prag të përballjes që vlen sa një sezon, drejtuesit dhe lojtarët e të dyja skuadrave milaneze kanë dhënë opinionet e tyre. Sipas kronologjisë, i fundit që ka folur për derbin është presidenti i Interit, Masimo Morati. Duke pasur parasysh formën e shkëlqyer të Ronaldinjos, ai tha: “Braziliani është i frikshëm”. Kjo deklaratë tregon sesi kampionët në fuqi të Italisë i tremben formës së jashtëzakonshme që po kalojnë kuqezinjtë. “Dinjo është lojtari që na tremb më shumë: në çdo ndeshje ai shpik futboll, është i paparashikueshëm, po gëzon një formë të mirë fizike dhe gjëja më kryesore, ai është i lumtur. Lojtarët e mi duhet të japin maksimumin për të përballur Milanin në këtë moment të mirë”. Ndeshja e së dielës nuk do të ketë si protagonistë vetëm futbollistët, por edhe dy trajnerët Zhoze Murinjo dhe Leonardo. Teknikë që përdorin dy metoda të ndryshme loje, por që arrijnë të marrin rezultate të kënaqshme. Morati shtoi: “Do të jetë interesante të shohim si e konceptojnë futbollin këta dy persona mjaft seriozë, që kanë nivel të shkëlqyer intelektual. Të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”. Në fund, drejtuesi më i lartë i klubit zikaltër ka bërë edhe një batutë rreth mënyrës sesi arrin të dallojë tifozët e Milanit nga ata të Interit. “I kuptoj nga mënyra si përshëndesin në rrugë: nëse bëjnë komplimente janë patjetër milanistë, ndërsa ata që brohorasin janë interistë”.Temperatura e derbit rritet. Por, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Uesli Shnajder. Fantazisti holandez është prekur nga virusi i gripit dhe Murinjo rrezikon seriozisht mos ta ketë në dispozicion për derbin me Milanin. Fillimisht u mendua se gjendja e lojtarit nuk ishte shqetësuese: Shnajder u largua përpara kohe nga qendra sportive e Apiano Xhentiles, por drejtuesit dhe stafi teknik nxituan të deklaronin se ai kishte leje për një problem personal. Më pas, klubi nxori një deklaratë për shtyp ku theksohej se 25-vjeçari nuk u stërvit, sepse kishte temperaturë të lartë: pasi u vizitua nga stafi mjekësor i skuadrës, ai u lejua të kthehej në shtëpi. Një problem më shumë për Murinjon, i cili do të jetë i detyruar të ndryshojë taktikën e lojës. Dejan Stankoviç ka vazhduar të punojë i diferencuar dhe është në dyshim, ndërsa sinjale pozitive vijnë nga Sallej Muntari dhe Tiago Mota, që pavarësisht se nuk janë në gjendje optimale, duken të gatshëm për të zbritur në fushë. Pak shanse për të luajtur në derbi ka edhe Alesandro Nesta. Mbrojtësi milanist vazhdon të ketë probleme muskulore dhe nuk është stërvitur me skuadrën: për të evituar probleme për shkak të temperaturave nën zero, stafi mjekësor vendosi që lojtari të punonte në palestër. Ndërkohë, plotësisht i gatshëm duket mesfushori Klarens Sedorf, i cili është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të kontingjentit.
#