E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia e Brukselit: Bojkoti, mënyra më e keqe

Pasardhësja e komisionerit Javier Solana, britanikja Ashton, njeriu që ka marrë sipas traktatit të Lisbonës, funksionet e ministres së jashtme të BE-së, deklaroi dje se bojkoti i zgjedhur nga Edi Rama ishte rruga më e keqe e të bërit politikë dhe se apeli i saj ishte një ultimatum për kthimin në ligj, para skadencës kohore që do të sillte djegien e mandateve


Partia Socialiste vazhdon të jetë në optikën kritike të ndërkombëtarëve, për mos heqjen dorë prej kërkesave antiligjore dhe aspak të bazuara në Kushtetutë apo Kodin Zgjedhor, të cilin të dy forcat më të mëdha politike e miratuan me konsensus të plotë. Deklarata e radhës vjen nga Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila shpreh qëndrimin e Brukselit, kundër bojkotit institucional të opozitës shqiptare dhe paralajmëron për masa të rrepta ndaj atyre që tentojnë të dhunojnë sistemin demokratik. Në vijim të një vizite disa ditore në Ballkan, Ashton deklaroi nga Beogradi, se nuk mund të tolerohen tentativat antibojkot, duke e konsideruar këtë si mënyrën më të keqe të veprimtarisë së një partie politike. Përmes një fjalimi të mbajtur ditën e djeshme me shoqërinë civile në Beograd, Ashton ka theksuar se është kundër bojkotit dhe mbështet politikën e dialogut. “Dua të them sinqerisht se unë jam përkrahëse e fortë e dialogut politik dhe jo e bojkoteve si rrugë për të gjetur zgjidhje politike. Bojkoti u provua si mënyra më e keqe e veprimtarisë politike të një partie politike”, tha Ashton. Gjatë vlerësimit që ka bërë për gjithë vendet e rajonit, Përfaqësuesja e Lartë Politikë e Jashtme në BE-në është ndalur dhe në hapat e bërë nga Shqipëria. Ajo tha se Shqipëria gjatë viteve ka parë progres të rëndësishëm. Megjithatë, shtoi përfaqësuesja e lartë, vështirësitë politike aktuale po venë në rrezik progresin e mëtejshëm. Për liberalizimin e vizave Ashton deklaroi se po punohet me qeveritë e vendeve të rajonit që nuk përfituan nga ky proces vitin e kaluar. Bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Bosnjën për të cilët Ashton garantoi se nuk do të kenë kritere shtesë përveç atyre që parashikon udhërrëfyesi. “Ekspertët e BE-së po vlerësojnë në terren përmbushjen e kushteve nga këto dy vende”, tha më tej, Ashton, Zëvendëspresidente e KE dhe njëherazi përfaqësuese e lartë për Politikën e Jashtme të BE. Përfaqësuesit e PPE-së në asamblenë e OSBE: “Të ndërpritet menjëherë bojkoti, opozita të mos bëhet pengesë për reformat”/Pas Asamblesë Parlamentare të OSBE një tjetër institucion prestigjioz ndërkombëtar shprehet kundër bojkotit të Kuvendit nga Partia Socialiste e Shqipërisë, duke i kërkuar asaj që të heqë dorë nga pretendimet e saj për rihapjen e procesit elektoral dhe në hetimin e zgjedhjeve të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatave. Në një deklaratë të vetën, grupi i Popullorëve në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, të kryesuar nga Ualburga Habsburg Daglas shprehin shqetësimet për situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve demokratike të zhvilluara qershorin e vitit 2009. Në deklaratën e OSBE-së, i kërkohet Partisë Socialiste në opozitë, të pranojë rezultatin e procesit zgjedhor, të konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Elektoral i Gjykatës së Apelit dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare vëzhguese, e po kështu, dënohet bojkoti parlamentar i Socialistëve në opozitë si dhe kërkohet përfundimi i menjëhershëm i tij. “Dënojmë bojkotin parlamentar të Partisë Socialiste në opozitë dhe kërkojmë përfundimin e menjëhershëm të tij. E konsiderojmë të papranueshme qëndrimin e partisë në opozitë për të rihapur procesin elektoral, duke krijuar kështu shqetësim në implementimin e reformave të nevojshme dhe urgjente ekonomike dhe demokratike. I kërkojmë dy partive kryesore politike të fillojnë procesin e bashkëpunimit për të krijuar një konsensus të fortë dhe efikas në lidhje me reformat për BE. Raporti përfundimtar i OSBE mbi zgjedhjet në Shqipëri i shpall ato të lira, të drejta dhe demokratike dhe konsideron të papranueshme çdo pikëpyetje mbi këtë raport të pavarur. Hetimi parlamentar duhet të zhvillohet në respekt të plotë ndaj Kushtetutës dhe Shtetit të së Drejtës”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesve të PPE-së, në Asamblenë Parlamentare të OSBE. Reagimet e PPE për qëndrimin e PS ndaj zgjedhjeve: - PS të kthehet menjëherë në Kuvend dhe të ndërpresë bojkotin, që është një akt i dënueshëm; - PS të pranojë rezultatin e konfirmuar zyrtarisht nga institucionet brenda e jashtë vendit; - E pa pranueshme kërkesa e PS për rihapjen e procesit elektoral të 28 qershorit; - Hetimi të respektojë Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës; - OSBE ka vlerësuar zgjedhjet të lira, të drejta e demokratike dhe nuk ka dyshimet për këtë raport të pavarur OSBE dhe përfaqësuesit e saj përforcojnë qëndrimet: “Nuk mund të kërkohet hapja e kutive, nëse një veprim i tillë shkel Kushtetutën”/Situata në Shqipëri vazhdon të mbetet në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, të cilët insistojnë në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës dhe kthimin e Partisë Socialiste në Kuvend. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, njëkohësisht zëvendëspresidente e Bashkimit Europian, deklaroi se ajo është kundër bojkoteve dhe përkrahëse e fortë e dialogut politik të cilin e cilësoi si të vetmen rrugë për gjetjen e një zgjidhje politike. Shqipëria tha ajo, gjatë këtyre viteve ka parë progres të rëndësishëm, por vështirësitë politike aktuale po venë në rrezik progresin e mëtejshëm. Ndërsa Wolfgang Grossruck, ish kryetar i Grupit të monitoruesve të OSBE/ ODIHR, në një intervistë për mediat, tha se hapja e kutive nuk mund të kërkohet nëse një veprim i tillë shkel Kushtetutën. “Këtu kemi të bëjmë me ligjin dhe Kushtetutën shqiptare. Unë nuk mund të kërkoj hapjen e kutive nëse ligji apo Kushtetuta nuk e lejon, ndaj duhet pranuar ligji dhe Kushtetuta. Unë i sugjeroj opozitës që të kthehet në parlament menjëherë. Pranimi i rezultatit të zgjedhjeve është gjithashtu një shenjë pjekurie e demokracisë dhe unë e di që për këtë çështje qeveria ose Parlamenti do të ngrejë një komision hetimor në bazë të ligjit dhe Kushtetutës. Por, së pari, opozita duhet të kthehet në parlament, të marrë pjesë në punime e më pas mund të ngrenë komisionin hetimor për numërimin e votave”, u shpreh Grossruck. E të njëjtit mendim është edhe kryetarja e grupit të Partive Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së ëalburga Habsburg Douglas, sipas së cilës bojkoti i opozitës minimizon respektin e ndërkombëtarëve ndaj saj. “Jam e zhgënjyer nga opozita. OSBE dërgoi vëzhguesit e saj në Shqipëri, zgjedhjet u shpallën të lira e demokratike. është për të ardhur keq që opozita në vend që të punojë si e tillë, qëndron jashtë parlament. Mendoj se një veprim i tillë nuk shton respektin për opozitën shqiptare”, u shpreh ajo. Për sa i përket kërkesës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive Douglas shton se në Shqipëri duhet të sundojë ligji dhe se hapja e kutive nuk është bërë në asnjë vend tjetër të botës. “Shqipëria është një vend ku sundon ligji dhe ata duhet të pranojnë atë që thotë Kushtetuta dhe ligji. Nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e kutive, kjo gjë nuk është bërë në asnjë vend tjetër të botës Mendoj se është fantastike që Presidenti dhe Kryeministri po përpiqen të përfshijnë opozitën në këto bisedime dhe mendoj se është e rëndësishme që para çdo lloj ndryshimi, opozita të kthehet në parlament. Në raportin përfundimtar të OSBE ne flasim për zgjedhje të lira e të ndershme dhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve duhen pranuar. Nëse fillon e vë në dyshim raportin e OSBE mbi zgjedhjet dhe rezultatet e tyre, puna bazë e OSBE vihet në dyshim dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë. Në raportin e saj për zgjedhjet, OSBE i vlerësoi ato në përmbushje me shumicën e angazhimeve të organizatës dhe shenjë e një progresi të dukshëm të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›