E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytje në Maqedoni, hapen digat mbi Drin

Autori i Lajmit: Silvana balliu
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur portat e digave në Koman dhe në Vaun e Dejës. Drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku konfirmon për gazetën “Ballkan” se është marrë vendimi për hapjen e këtyre dy digave për shkak se pala maqedonase ka hapur portat dhe po shkarkon në kuota maksimale ujin nga liqeni i Ohrit.
“Për shkak të situatës së shtimit të reshjeve në Maqedoni, ku liqeni i Ohrit ka arritur në kuota maksimale dhe po shkarkohet maksimalisht uji në lumin Drin u detyruam të hapim dy nga digat, atë të Komanit ku po shkarkojmë aktualisht një sasi normale uji, në kuotën e 500 m3 për sekondë dhe nga vau i Dejës po shkarkojmë 300 m3 për sekondë”, tha më tej Stojku. Ai shtoi se një vendim i tillë është marrë edhe për shkak të rëndimit të situatës nga shkrirja e borës, por ka siguruar se gjithçka është nën kontroll dhe po monitorohet nga specialistët e energjetikës në terren.
Situata në Maqedoni e rënduar
Situata e rënduar hidrologjike ka bërë që niveli i ujit në Liqenin e Ohrit, dita ditës po rritet nga reshjet dhe akumulimet e pakontrolluara të ujërave nga përroskat e ndryshme, që po reflektohen edhe në shkarkimin e Liqenit në lumin Drin. Me hapjen e pesë portave të shkarkimit të Liqenit të Ohrit, sasia e ujërave në lumin Drini i Zi është shtuar dukshëm dhe kjo po reflektohet në liqenin akumulues të hidrocentralit Glloboçica, ku niveli i ujit është rritur për disa centimetra mbi kuotat jo vetëm normale por edhe ato maksimale. Nga derdhjet dhe shkarkimi nga sifoni i shkarkimit në këtë liqen akumulues, rrjedhimisht po reflektohet në sasinë e ujërave të lumit Drin gjatë rrjedhës së tij në drejtim të Dibrës. Pikërisht për këtë shkak, në afërsi të fshatit Llukovë, ku ka edhe përmbytje të disa bodrumeve, uji nga shtrati i lumit Drin ka dalë në rrugë, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme të mëdha. Menjëherë kanë intervenuar ekipet e mbrojtjes dhe shpëtimit, duke angazhuar edhe mekanizimin e duhur të sektorit privat të “Beni Trans”, kanë vendosur argjinaturat e duhura, për të mbrojtur daljen e Drinit nga shtrati. Po ashtu, edhe në fshatin Peshtan të Ohrit, ujërat nëntokësorë që kanë ngritur nivelin e tyre, së bashku me nivelin e Liqenit të Ohrit, kanë përmbytur disa bodrume nëpër shtëpitë që janë afër liqenit. Përmbytje të këtilla bëjnë të ditur banorët e Peshtanit janë evidentuar dhe dhjetëra shtëpi.
Dëmet
Këto përmbytje kanë shkaktuar edhe një defekt të theksuar në sistemin e kolektorit, duke dëmtuar një nga stacionet e pompimit në Peshtan. Përderisa Llukova, Peshtani e vende të tjera përballen më përmbytjet, fshati Vevçan po ballafaqohet me ortekun e një sasie mbi 500 metra kub dhe, që është sjellë nga kodra e afërta dhe ka rrezikuar katër shtëpi të këtij fshati. Ngjarja ka goditur këtë fshat mbrëmë rreth orës tetë të mbrëmjes. Banorët e këtij fshati, tërë natën janë angazhuar që të pengojnë ortekun që të rrezikojë katër shtëpitë e banorëve të fshatit dhe qendrën mjekësore, që ndodhet aty pranë.
Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›