E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve, nuk ekziston 6 mars”

Autori i Lajmit: Redaksia
Deklarata e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, për hetim tërësor të zgjedhjeve të 28 Qershorit, është nënvizuar nga kryetari i opozitës Edi Rama, si një tjetër moment avantazhi në betejën e tij për hapjen e kutive të votimit. “Hetimi i plotë i zgjedhjeve, do të thotë hetim i pakushtëzuar, sigurisht, bazuar mbi Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka interpretuar dhe i ka dhënë formë të qartë çështjes së hetimit parlamentar në tërësi”, - vlerësoi Rama dje, në një takim me gazetarët në përmbledhjen e javës. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama tha se në vendim është shprehur forma më kuptimplote e përgjigjes për atë që ai e cilësoi “dilemë të ngritur enkas nga ana e pushtetit, thjesht për të shmangur hetimin parlamentar të plotë dhe të tërësishëm”. Rama tha se e drejta për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve është e legjitimuar. “Hetimi ynë parlamentar synon dy drejtimet kryesore: nxjerrja e përgjegjësive për deformimet në procesin e administrimit të votës dhe nxjerrja e konkluzioneve për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor”,- tha Rama, teksa lexoi para gazetarëve vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Rama cilësoi si alibi pretendimin e Partisë Demokratike në pushtet se opozita po kërkon të hetojë vendimin e gjykatës. “Nuk po hetojmë vendimin e gjykatës, ky është karrem që ka hedhur qeveria. Ne nuk kemi paraqitur asnjëherë dhe në asnjë rast pretendimin për të hetuar një vendim gjykate. Qysh në krye të herës kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve. Në rast se nuk do të njihnim rezultatin e zgjedhjeve nuk do të njihnim as qeverinë, as Parlamentin, por do ishim në kushtet e një lëvizjeje antipushtet. Referimi i vazhdueshëm ndaj vendimit të gjykatës është truk i qeverisë për të shmangur hetimin e zgjedhjeve”, - tha ai. Gjithashtu, sipas Ramës, 6 marsi është një ditë e zakonshme dhe nuk shënon asnjë përfundim të afatit të mandateve për deputetët socialistë.

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›