E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të një imazhi të ri



Kompania reklamuese “Saatchi & Saatchi”, fituese e tenderit në vlerë prej 5.7 milionë euro, do ta drejtojë fushatën për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë. Autoritetet thonë se pas pavarësisë, Kosova ka nevojë për një imazh të ri, me të cilin do të njihet

Kompania “Saatchi & Saatchi”, sipas autoriteteve në Kosovë, do ta drejtojë fushatën “Realizimi i rritjes së imazhit të shtetit dhe fushatës ndërkombëtare mediale për Republikën e Kosovës”. Sekretari i përhershëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, Bashkim Isufi, thotë se Kosova e pas pavarësisë ka nevojë për një imazh të ri në botë.

"Në fakt është qëndrimi i qeverisë së Kosovës, që të punojmë dhe të gjejmë rrugë të përshtatshme, në mënyrë që të ndikojmë në ngritjen e imazhit të Kosovës në çdo aspekt”.

“Duke i analizuar këto kërkesa, e sidomos pas pavarësisë së Kosovës dhe nevojës që Kosova të zërë vendin që meriton në arenën ndërkombëtare në fusha të ndryshme, kemi menduar që angazhimi i një kompanie të tillë do të kishte ndihmuar dukshëm në ngritjen e imazhit dhe në vendosjen e Kosovës në vëmendjen e caktuar të të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare", - tha zoti Isufi.

Sipas zotit Isufi, projekti si i tillë do të zgjasë për një kohë të gjatë. Ai shpjegon se vetëm për vitin 2009, kompanisë fituese do t'i jepen 3 milionë euro.

"Projekti si i tillë do të zgjasë me vite. Fillimisht qeveria për vitin 2009 dhe ne si Ministri e Ekonomisë dhe Financave kemi ndarë një buxhet prej 3 milionë eurosh. Paketa e projektit aktualisht, e cila është shpallur me tender, e ka një kosto diku prej 5.7 milionë euro", - tha ai. Edhe zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi, pohon se si shumë shtete të ndryshme të botës, edhe Kosova si një vend i dalë nga lufta, ka nevojë për një fushatë të tillë mediale ndërkombëtare.

Ai madje thotë se me një fushatë si ajo, mund të ketë edhe investime ekonomike. "Kjo është një prej arsyeve kryesore që ta ndryshojmë idenë për Kosovën, ashtu siç kanë bërë edhe shumë shtete të tjera, si Kroacia, edhe duke treguar se Kosova nuk është ai vend për të cilin ekzistojnë paragjykime, por që është një vend stabil, një vend i pavarur, demokratik dhe një vend që ka perspektivë për të gjithë. Po ashtu, edhe një vend stabil për investime të huaja", - tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Berim Ramosaj, njëkohësisht nënkryetar i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Dardanisë, nuk e konteston shumën e parave për një imazh të ri për Kosovën. Por, ai nuk pajtohet me mos transparencën e institucioneve, kur bëhet fjalë për projekte të mëdha. "Duke marrë parasysh rëndesën dhe të gjitha fenomenet, unë nuk mund ta kontestoj si shumë. Por, e kontestoj mungesën e transparencës në këtë proces të dhënies, në kuptimin e asaj që çdo cent i taksave të qytetarëve të Kosovës është shumë e udhës të bëhet transparent dhe në harmoni me ligjin", - tha Ramosaj.

Ndryshe qeveria e Kosovës edhe më herët pati deklaruar se synon të nisë një kampanjë për përmirësimin e imazhit të Kosovës në të gjitha aspektet në botë.

Për këtë ka kërkuar ndihmën edhe të regjisorit të njohur amerikan me prejardhje shqiptare, Stan Dragoti, i njohur për suksesin e tij me kampanjën "Unë e dua Nju Jorkun".

Por zëdhënësi i qeverisë së Kosovës ka sqaruar se tash për tash kompania “Saatchi & Saatchi” do të jetë e vetmja që do të merret me pasqyrimin e imazhit të Kosovës në botë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›