E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia e re e Obamës në Lindjen e Mesme

Duket më se qartë se Obama nuk druhet të thyejë tabu kur vjen fjala te politika e jashtme. Edhe pse në një terren tepër të vështirë - konflikti në Lindjen e Mesme ndërmjet izraelitëve e palestinezëve dhe ai mes Perëndimit e botës islamike - Obama e sheh si mundësi për ndryshim rrënjësor politikash me përmasa historike. Administrata e re amerikane shpreson se do të arrijë ta ringjallë procesin e ndalur të paqes në Lindjen e Mesme

Pjesëtarët e lobit tepër të fuqishëm proizraelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u prekën në mënyrë të dukshme nga fjalimi i zëvendëspresidentit Xho Baiden, të martën e shkuar. Për 6500 delegatët e Komitetit Amerikan Izraelit për Punët Publike (AIPAC), të mbledhur në Qendrën e Konventave në Uashington, ato fjalë qenë muzikë. "Me të gjitha ndryshimet që do të dëgjoni, ekziston një parim i përhershëm që nuk do të ndryshojë dhe ky është përkushtimi ynë ndaj paqes dhe sigurisë së shtetit të Izraelit", u tha Baiden të pranishmëve. Delegatët nuk u mjaftuan ta duartrokisnin zëvendëspresidentin amerikan, por nisën të lëshonin thirrje falënderimi me sa zë kishin në kokë.

E megjithatë, në Amerikën e Presidentit Obama, askush nuk mund të jetë i sigurt se nuk do ketë ndryshime. Është diçka që pjesëtarët e Komitetit Amerikan Izraelit për Punët Publike duhet ta kenë kuptuar teksa ndiqnin lajmet e mbrëmjes gjatë po asaj dite. Thuajse në të njëjtin çast kur Baiden bënte atë premtim solemn, një tjetër zyrtare e lartë e administratës "Obama" po mbante një qëndrim që do të kujtohet gjatë përpara Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Emri i zyrtares është Roze Gotmoler, ndoshta jo shumë i njohur, por bëhet fjalë për një figurë të rëndësishme. Asistentja e sekretares amerikane të Shtetit është një prej eksperteve më në zë në fushën e armëve nukleare, aktualisht po kryeson bisedimet dypalëshe me Rusinë për çarmatim dhe po punon për forcimin e Traktatit për Mosproliferimin Nuklear (NPT). Gjatë fjalës në OKB, Gotmoler bëri thirrje që një numër shtetesh të konsideruara si fuqi nukleare t‘i bashkoheshin Traktatit për Mosproliferimin Nuklear: "Përfshirja në NPT e shteteve si India, Izraeli, Pakistani e Koreja e Veriut, mbetet një prej objektivave themelorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Diçka e thënë me ton kaq të zakonshëm në kuadrin e luftës kundër armatimit nuklear, në fakt, ishte thyerja e një tabuje për diplomacinë amerikane. Uashingtoni kurrë më parë nuk e kishte quajtur Izraelin fuqi nukleare. Çdo administratë amerikane e kishte injoruar, të paktën zyrtarisht, arsenalin bërthamor të Izraelit, i cili ka nisur të krijohet në fundin e viteve ‘60 dhe është përmirësuar së tepërmi gjatë viteve.

Thyerja e tabuve

Një marrëveshje mes qeverisë së Riçard Niksonit dhe Golda Meier e shtrëngonte Uashingtonin dhe Tel Avivin të heshtnin kur vinte fjala te programi nuklear i Izraelit. Çdo President i mëpasshëm amerikan ka qenë dakord se kjo ishte rruga më e mirë për të ruajtur sigurinë e Izraelit. Deri në ditët e sotme, Izraeli nuk ka pranuar të japë asnjë informacion mbi armët nukleare që zotëron dhe, duke vepruar kështu, ka arritur të shmangë çdo lloj inspektimi ndërkombëtar. Logjika është më se e pakundërshtueshme: nuk mund të inspektohet apo të reduktohet diçka që nuk ekziston.

As që mund të shpresohej se fjalët e Gotmeler nuk do të shkaktonin dallgë zemërimi në Izrael. Ndërkaq shumë "think-tank"-e në Uashington e shohin këtë qëndrim si provë të administratës së re për reforma rrënjësore. Duket më se qartë se Obama nuk druhet të thyejë tabu kur vjen fjala te politika e jashtme. Edhe pse në një terren tepër të vështirë - konflikti në Lindjen e Mesme ndërmjet izraelitëve e palestinezëve dhe ai mes Perëndimit e botës islamike - Obama e sheh si mundësi për ndryshim rrënjësor politikash me përmasa historike. Ndërkaq nuk ka lënë pa lëshuar herë pas here sinjale pozitive karshi botës myslimane, duke nënvizuar shpesh se disa familjarë të tij i përkasin këtij besimi.

Që nga dita e parë në Shtëpinë e Bardhë, Obama bëri të qartë se nuk do të vazhdonte politikën e Bushit karshi Izraelit. Presidenti republikan i kishte mbrojtur në të gjitha rastet izraelitët, madje fajësohet pikërisht kjo mbështetje e tepruar për ndalimin e procesit të paqes në rajon. Tashmë Obama ka ndër mend ta ringjallë këtë proces dhe këtë po e bën duke marrë distancën e duhur nga Izraeli. Përfshirja e Izraelit në listën e fuqive nukleare është vetëm një pjesë e asaj strategjie që ka qëllim t‘i kthejë Shteteve të Bashkuara të Amerikës aftësinë për të vepruar në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë tashmë më se të qartë se ka ndër mend t‘i shtrojë kërkesa Izraelit. Kryeministri i ri i Izraelit, Beniamin Netaniau, duhet të garantojë se do të ndërpresë ngritjen e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor. Gjatë vizitës në Turqi, Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës "mbështesin me forcë zgjidhjen me dy shtete, Izraelin dhe Palestinën, të cilët do jetojnë përkrah njëri-tjetrit në paqe e siguri".

Që nga ai çast, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Izraelit janë armiqësuar ndjeshëm. Ministri izraelit i Ambientit, Gilad Erdan, u shty deri në atë pikë sa vërejti se "Izraeli nuk merr urdhra nga Obama". Ndërkaq, Presidenti amerikan nuk ka ndër mend të devijojë nga ky drejtim. Ai ka në plan të udhëtojë drejt Kajros më 4 qershor, ku do të mbajë një fjalim që do t‘i adresohet botës islamike. Sekretari i Shtëpisë së Bardhë për shtypin, Robër Gibs, tha të premten e kaluar se "qëllimi i fjalimit është më i madh nga vendi se ku do të mbahet fjalimi".

Të hënën, gazeta "Times" e Londrës citonte Mbretin Abdullah të Jordanisë, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara po përgatisin promovimin e një plani paqeje ku përfshihet "zgjidhja e 57 shteteve", që do pasohet nga njohja e Izraelit nga e gjithë bota myslimane. Sipas kësaj të përditshmeje, Presidenti Obama dhe Mbreti Abdullah kanë rënë dakord për këtë plan gjatë vizitës së këtij të fundit në Uashington në muajin prill, ndërkohë që detajet do të bëhen të ditura në vazhdim, veçanërisht pasi Kryeministri izraelit, Beniamin Netaniau, të takohet të hënën e ardhshme me Presidentin Barak Obama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›