Pyeten 3 persona për vrasjen e Xhindit
Zhvendosen në kryeqytet hetimet nga organi i akuzës për krimin ndaj deputetit
TIRANË- Rrëzimi i pistës së vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi për shkak të konflikteve pronësore, ka zhvendosur zyrën e hetimit të Prokurorëve të Krimeve të Rënda nga qyteti i Fierit në Tiranë.
Gjatë paradites së djeshme, me kërkesë të prokurorëve të çështjes janë pyetur disa persona me cilësinë e personave që kanë dijeni për faktet, e pistës së hetimit për shkak të xhelozisë.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, hetuesit e kësaj dosjeje kanë ngritur dyshimet se vrasja e deputetit Xhindi ka lidhje me vrasjen e prillit të vitit 1997 ku si pasojë e një konflikti brenda një qendre votimi është vrarë Komisioneri i Partisë Republikane.
Vrasje kjo, që edhe pse kanë kaluar më shumë se 12 vjet nuk ka një autor të identifikuar. Por, dyshimet në këtë qytet në atë kohë kanë rënë mbi një pjesëtar të familjes Shehu, i cili dy javë pas kësaj vrasjeje u ekzekutua B.Shehu.
Për këtë ekzekutim, u dënua në vitin 2001 shtetasi F.Misiri, ndaj të cilit Gjykata e Lartë ka vendosur rigjykimin e çështjes. Kështu, sipas këtyre burimeve, kjo pistë po hetohet tashmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke marrë në pyetje shumë persona e duke kryer një sërë veprimesh të ndryshme hetimore.
Gjithashtu, prokuroria konfirmon se pjesë e hetimeve është edhe pista e vrasjes për shkak të ndonjë lidhjeje të tij jashtë martesore, që nga familjarët dhe të afërmit e deputetit Xhindi që e njihnin nga afër e kanë hedhur poshtë në mënyrë kategorike këtë dyshim.