E Diel, 1 Nëntor 2026

Spaho: Opozita kundër reformave ekonomike, refuzon fuqizimin e sektorit privat

16-12-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho tha dje në seancë plenare se, opozita kundërshton çdo lloj iniciative që mazhoranca ndërmerr për thellimin e reformave të ekonomisë së tregut si dhe forcimin e sektorit privat.
Duke reaguar ndaj qëndrimeve të deputetëve të opozitës sa i përket projektligjit për përcaktimin e formës së privatizimit të kompanisë ALBpetrol, Spaho tha se, ishte i pashpjegueshëm qëndrimi i opozitës për p/ligjin, pasi ai trajton çështjen vetëm në parim dhe është vetëm pikënisja e një procesi të gjatë dhe jo i lehtë për t’u realizuar.
“Nuk kemi të bëjmë me një rast të vetëm të qëndrimit kundër të opozitës së i takon procesit të privatizimit të sektorëve strategjikë. Këtu po shohim të kristalizohet një qëndrim ideologjik dhe programor i forcës kryesore të politikës së majtë, e cila në thelb është kundër privatizimit dhe pronës private. Nuk ka si shpjegohet ndryshe qëndrimi kundër ndaj çdo iniciative që mazhoranca ndërmerr për thellimin e reformave të ekonomisë së tregut dhe forcimit të sektorit privat”, deklaroi Spaho.
Duke vënë theksin në faktin se projektligji për privatizimin e sektorëve strategjikë është miratuar nga vet opozita, Spaho tha se privatizimi i sektorit shtetëror është arritja më e madhe e mazhorancës, ndërsa shprehu bindjen se kjo e fundit është e vendosur të privatizojë sektorët strategjikë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, sepse është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›