E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomat 2008-2009, studentët me 240 kredite mund të kalojnë te diploma e integruar



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit hap procedurat e aplikimit për marrjen e një Diplome të Integruar të Nivelit të Dytë për studentët që janë diplomuar gjatë vitit akademik 2008-2009. Nëpërmjet një njoftimi të posaçëm për shtyp, Ministria e Arsimit njofton të gjithë studentët që janë diplomuar në vitin 2008-2009 në një program studimi të hapur me kohëzgjatje 4 vite akademike, 240 kredite, se fitojnë diplomë universitare. Sipas MASH-it, këto kredite do të jenë të detajuara në suplementin e diplomës që ata do të marrin.
Shkresa
Gjithashtu, MASH-i bënë të ditur se u ka dërguar një shkresë zyrtare të gjitha universiteteve publike të vendit, për t’i udhëzuar që nëse këta studentë dëshirojnë të fitojnë Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë me 300 kredite, në përputhje me nenin 26, pika 1.2.2 e Ligjit Nr.9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrin masat që në vitin akademik 2009-2010 t’u japin mundësinë të diplomuarve të plotësojnë studimet edhe me një vit akademik, 60 kredite. Konkretisht në pikën 1.2.2 të lartpërmendur për programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë thuhet se institucionet e arsimit të lartë në fusha të veçanta ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku. Sipas përcaktimit të bërë në këtë pikë, programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite. Ndërsa diploma që lëshohet në përfundim të programeve të studimeve është diplomë e integruar e nivelit të dytë (DIND) në fushën e arsimimit të kryer.
Programet
Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë. Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh. Këto programe realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tre vite. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimeve të ciklit të dytë japin njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim të pavarur në një fushë brenda një specialiteti. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet Diplomë e Nivelit të Dytë (DND) në fushën e arsimimit të kryer.

Neni 26
Pika 1.2.2
Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:
institucionet e arsimit të lartë në fusha të veçanta ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku;
programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite;
në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë e integruar e nivelit të dytë (DIND) në fushën e arsimimit të kryer;
programet e studimeve, të kategorizuara, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Arsimi i mesëm, gjimnazet e përgjithshme barazohen me profesionalet

Unifikohet arsimi i mesëm në vendin tonë. Për herë të parë të gjitha shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale do të kenë të njëjtën kurrikul bazë. Nxënësit e klasës së 10-të para se të regjistrohen në një gjimnaz duhet të plotësojnë një formular, ku do të përzgjedhin lëndët me zgjedhje, në të cilat do të profilizohen gjatë tre viteve të ardhshme. Nxënësit do të studiojnë orë shtesë për lëndët me zgjedhje, deri në klasën e 12-të. Sistemi i ri që po aplikohet rishtazi këtë vit në arsimin e mesëm synon të ndihmojë nxënësit për të marrë sa më shume njohuri në lëndët me zgjedhje, që përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme në provimet Maturës Shtetërore.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›