E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e Bolonjës, udhëzimi i ri për suplementin

Parashikohen ndryshime vetëm për suplementin, hidhen poshtë kërkesat e studentëve. Të dhënat që do të përmbajë suplementi i diplomës trevjeçare

Jonida Tashi

Udhëzimi i ri për suplementin e diplomave të Bolonjës u është dërguar dje pasdite universiteteve. Suplementi i diplomave, sipas sistemit të Bolonjës, është një dokument në të cilin do të përshkruhen të gjitha njohuritë që studenti ka marrë në shkollë gjatë studimeve trevjeçare. Konkretisht, në këtë suplement do të pasqyrohet e gjithë përmbajtja e studimeve, në kuptimin e kohëzgjatjes, numrit total të krediteve, notës mesatare, lëndët ose modulet dhe pesha e tyre në kurrikul. Përveç diplomës së nivelit të parë, me suplement, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, do të pajiset dhe ajo e nivelit të dytë. Por, megjithëse universitetet janë pajisur me udhëzimin për suplementin e diplomës, ende nuk dihet se kur do të nisë shpërndarja e tij, pasi drejtuesit e universiteteve, në bazë të udhëzimit, duhet të zgjedhin një formë sa më të përshtatshme.
Udhëzimi
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se udhëzimi i ri për diplomat ka një përmirësim në kuptimin e shmangies së disa elementeve, të cilat mund të mos ishin të domosdoshme. Kështu, MASH-i ka vendosur të lehtësojë udhëzimin nga ato elemente që u kërkuan nga studentët. Tashmë senatet e universiteteve, në përputhje me udhëzimin e MASH-it, kanë mundësinë të zgjedhin diplomat e tyre duke ruajtur gjithmonë standardet shtetërore bazë që duhet të ketë çdo diplomë. Gjithashtu, sipas udhëzimit të ri të MASH-it, universitetet do të kenë një hapësirë të caktuar për të zgjedhur formën e diplomës, hapësirë që ka ekzistuar edhe në udhëzimin e mëparshëm. Formati i diplomës së nivelit të parë, diplomës së nivelit të dytë si dhe i diplomës së studimeve të integruara do të jetë A4. Këto diploma do të ndryshojnë vetëm nga ngjyra, pasi për secilën prej tyre është përcaktuar një ngjyrë e ndryshme nga tjera, si dhe emërtimi që do të kenë. Kështu, diploma e ciklit të parë 3-vjeçar do të jetë me ngjyrë të kaltër të lehtë. Ndërsa diploma e ciklit të dytë dhe diploma e integruar e ciklit të dytë do të jetë me ngjyrë okër. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për përmbajtjen dhe formën e diplomës së shkollës së lartë, diplomat do të shtypen në format jo më të vogël se A4, me letër jo më të vogël se 200gr/m2. Gjithashtu, në shtypjen e diplomave do të parashikohen edhe elemente të sigurisë në letër dhe në formulimin grafik të tyre.
Përmbajtja
Shkollat e larta duhet t’i pajisin të gjithë studentët, në përfundim të ciklit të studimeve, me diplomën përkatëse, e cila duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe. Emërtimi i diplomës së fituar, sipas programeve të studimit dhe cikleve të studimit, do të jetë: Diplomë e Nivelit të Parë (fusha e arsimit të kryer); Diplomë e Nivelit të Dytë (fusha e arsimit të kryer); Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë (fusha e arsimit të kryer).
Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe të dhënat që duhet të përmbajnë diplomat sipas sistemit të Bolonjës. Kështu, sipas udhëzimit të MASH-it, diploma e secilit student për të tria ciklet e studimeve duhet të përmbajë 10 të dhëna kryesore. Përkatësisht, renditja e këtyre të dhënave është: Stema e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe emblema e institucionit përkatës të arsimit të lartë; Emërtimin “Republika e Shqipërisë”; emërtimin e institucionit përkatës; emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit; vendin, datën, muajin dhe vitin e lindjes; emërtimin e diplomës në fushën e arsimit të kryer; vitin e fillimit dhe përfundimit të studimeve; numrin e amzës së studentit (matrikullimit) dhe numrin e regjistrit të diplomës; datën, muajin dhe vitin e akordimit të diplomës; emrin e rektorit të institucionit të arsimit të lartë dhe dekanit të fakultetit përkatës të shkruar me dorë.

Akreditimi, Universiteti i Tiranës shtyn afatin për vetëvlerësimin

Universiteti i Tiranës ka vendosur shtyrjen e afatit për vlerësimin e brendshëm të tij, që është faza e parë e akreditimit. Lajmi bëhet i ditur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ky i fundit sqaron se dekanët e fakulteteve të UT-së kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për të kryer vlerësimin e brendshëm të tyre. Sipas urdhrit të mëparshëm, të lëshuar nga kreu i UT-së për vetëvlerësimin e fakulteteve, këto të fundit duhet të dorëzonin brenda datës 15 shkurt në rektorat analizën e vlerësimit. Duke qenë se drejtuesit e tetë fakulteteve të UT-së e kanë pasur të pamundur që ta realizojnë këtë proces brenda harkut të caktuar kohor, Kule ka vendosur shtyrjen e afatit deri në fund të muajit shkurt. I pari në garën për cilësinë universitare është futur Universiteti i Tiranës, ndërkohë që në listën e të akredituarve tashmë janë tre emra të institucioneve private të arsimit të lartë me qendër në kryeqytet. Pas përmbylljes së vlerësimit të brendshëm nga vetë universitetet dhe dorëzimit të raportit në Agjencinë e Akreditimit fillon edhe vlerësimi i jashtëm. Ky mund të realizohet nga vetë Agjencia e Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit, ose nga ndonjë kompani e huaj prestigjioze në fushë. Propozimin për këtë çështje e bën vetë universiteti i interesuar për akreditimin. Universiteti i Tiranës ka vendosur që të konktraktojë një kompani të huaj për të bërë vlerësimin e tij.

Koeficientet e lëndëve me zgjedhje, fakultetet kanë afat deri më 25 shkurt

Fakultetet, në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e Maturës Shtetërore 2009, kanë afat për të publikuar propozimet e tyre për koeficientet e lëndëve me zgjedhje deri më 25 shkurt 2009. Burime nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve bënë të ditur se koeficientet për llojet e shkollave të mesme do të bëhen publike pas 25 prillit. Për këtë vit akademik mendohet të jenë dy lloje koeficientesh për pranimet në universitete. Në grupin e parë do të përfshihen 5 koeficientet e llojit të shkollës së mesme, ku çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente, nga 1.0 deri në 1.4, me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë do të shpallë propozimet edhe për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat do të kenë dy lloje koeficientesh në dispozicion, që ndonëse nuk janë miratuar përfundimisht, mendohet të jenë nga 1.0 në 1.3.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›