E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata jep burg dhe gjobë për ish-policët e Gjirokastrës



Tiranë - Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund dje gjykimit të dosjes për grupin nga Gjirokastra, që akuzohej për kalim të paligjshëm të kufirit. Trupi gjykues, pas disa seancash gjyqësore, vendosi t’i cilësojë fajtorë ish-policët dhe të pandehurit e tjerë duke i dënuar jo vetëm me burg, por edhe me gjobë. Në qershor të vitit 2007, Drejtoria e Policisë e Qarkut të Gjirokastrës realizoi operacionin për ndalimin e 9 personave, të akuzuar për trafik të qenieve njerëzore, midis tyre 4 punonjës të kësaj drejtorie. Katër oficerë madhorë të Policisë së Gjirokastrës dhe pesë civilë, të cilësuar trafikantë, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë grup rezultonte se katër të ndaluar ishin oficerë të policisë, ndër ta edhe shefi i Policisë Kufitare, e inspektorë krimesh. Në pranga u vendos kryepolici i kufirit në Gjirokastër, Hodo Korra; Albert Golemi, komandant në grupin operativ special të Policisë Kufitare Gjirokastër; Ergest Rabaj, inspektor në Sektorin kundër Krimit Ekonomiko-Financiar Gjirokastër dhe Aleko Puci, punonjës policie po në këtë qytet. Ndërsa të arrestuarit e tjerë u cilësuan si organizatorë, duke gjetur klientë dhe më pas finalizohej trafikimi i tyre drejt Greqisë.

Dënimet
Ermal Fidhi 1 vit dhe 30 mijë lekë gjobë
Ermal Kaçi 5 vjet dhe 600 mijë lekë gjobë
Lorenc Meci 5 vjet dhe 600 mijë lekë gjobë
Leonidha Caro 10 vjet 800 mijë lekë gjobë
Ergest Rabaj 10 vjet 800 mijë lekë gjobë
Hodo Corro 11.3 vjet 100 mijë lekë gjobë
Krenar Boçi 10 vjet 800 mijë lekë gjobë
Arben Sulaj 11 vjet 800 mijë lekë gjobë
Eugen Garencaj 5 vjet 600 mijë lekë gjobë
Kreshnik Gërbi 5 vjet 600 mijë lekë gjobë

Analiza vjetore, Spahiu: “Gjyqtarët, me nivel mesatar”

Tiranë - Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kërkoi dje zbatimin me rigorozitet të ligjit nga gjyqtarët në rrethe. I pranishëm në analizat vjetore të punës për vitin 2008 të gjykatave të rretheve gjyqësore të Lezhës, Kurbinit dhe Krujës, Spahiu në diskutimin e vet, kërkoi nga trupat gjyqësore respektimin e afateve procedurale në proceset e hapura për çështjet penale. Sipas tij, gjyqtarët janë të një niveli të mesëm dhe duhet rritur performanca mbi zbardhjen e vendimeve. Pjesëmarrës në këto analiza ishin edhe përfaqësues nga organi i Prokurorisë. Prej disa ditësh, KLD-ja ka nisur një turr inspektimesh nëpër gjykatat e rretheve gjyqësore, duke marrë në analizë veprimtarinë e tyre për vitin 2008, në kuadër të fushatës “Drejtësi të barabartë në çdo gjykatë”.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›