Ministria e Punës, projekt për eliminimin e informalitetit në tregun e punës
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka konstatuar se rreth 55 për qind e punëtorëve në sektorin jobujqësor punojnë në punë me produktivitet të ulët në ekonominë informale. Sipas raportit të programit “Punë e denjë për Shqipërinë 2008-2010”, për sektorin e bujqësisë rezulton se pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar dhe gjysma të varfër. Rreth 27 për qind e punëtorëve të sektorit jobujqësor janë punëtorë me pagesë në ekonominë informale, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, rreth 28 për qind janë ose të vetëpunësuar, ose merren me punë të papaguar, kanë nivel të ulët arsimor dhe në përgjithësi, i takojnë seksit mashkull. Për eliminuar informalitetin në tregun e punës Ministria e Punës, në bashkëpunim me ILO-n, po punon për zbatimin e Programit “Punë e denjë për Shqipërinë 2008-2010”, me synim rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, reduktimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e sistemit të mbrojtjes shoqërore, faktorë mjaft të rëndësishëm në reformimin e tregut të punës. Programi Shqiptar për “Punë e denjë 2008-2010” promovon punën e denjë si çelës zhvillimi, duke u përqendruar në tri prioritete: rritja e kapacitetit të institucioneve shtetërore dhe partnerëve socialë, me qëllim përmirësimin e administrimit së tregut të punës; mbështeten e masave të marra nga qeveria për reduktimin e ekonomisë informale; përmirësimin e mbulimit të sistemit të mbrojtjes sociale.
17 Shkurt 2009