Operacioni “Nata e errët”, kapet grabitësi i lokaleve
Lezhë - “Nata e errët” ka qenë operacioni i organizuar nga policia e Lezhës, që ka çuar dje në pranga Blerim Tufën, 29 vjeç, nga Fushë Kruja. Burime zyrtare të policisë së Lezhës thanë për “Albania”-n se nga Seksioni i Krimeve ndaj Pronës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i Blerim Tufës, me banim aktualisht në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Lezhës. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë për arsye se gjatë hetimeve dhe ekspertizës së bërë në disa lokale që ishin vjedhur, ka rezultuar që Tufa të jetë autori i vjedhjes së tyre.
Bëhet fjalë për katër dyqane, që janë thyer dhe vjedhur dy ditët e fundit në këtë qytet. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Tufës policia gjeti dhe sekuestroi si sende të dyshuara të vjedhura në lokalet e mësipërme televizorë plazma “LG” me ngjyrë të zezë, telekomanda të televizorëve plazma, aparatura DigitAlb së bashku me kartat e tyre, televizorë tip “Orion” me ngjyrë të zezë, disa shishe uiski etj. Policia tha se ka ngritur ndaj Tufës akuzën e “vjedhjes së pasurisë të kryer me shumë se një herë”.
“Kartat”, nis procesi i aplikimit në qytetin e Shkodrës
Shkodër - Pasi u shty disa herë rresht, ka nisur më në fund procesi i aplikimit për kartat e identitetit në Shkodër. Dje u shpërndanë kuponët, ndërkohë që si ditë e parë është vënë re një fluks i qytetarëve të interesuar për të aplikuar. Pavarësisht parashikimeve që procesi i aplikimit të qytetarëve për pajisjen me kartat e identitetit në Shkodër të startonte të premten e javës së kaluar, bllokimi i rrjetit kompjuterik i instaluar pranë zyrave të gjendjes civile bëri që ky proces të vononte. Zyrtarë të Bashkisë u shprehën për mediat se është parë një interes i madh i qytetarëve për të kryer procesin e aplikimit. Ndërkohë që prioritet u është dhënë qytetarëve që nuk janë të pajisur me pasaportë.
Kapen me 18 kg hashash, pranga dy personave
Peshkopi - Rreth 18 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sattiva është gjetur nga policia e Dibrës në lagjen “Kamen” të qytetit të Peshkopisë. Në pranga janë vënë dy persona; Fatmir Hidri, 40 vjeç dhe Shpendi Hidri, 32 vjeç, të dy banues në të njëjtën lagje.
Arrestimi i tyre u krye pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në lagjen “Kamen” Peshkopi, u kapën nga policia me 4 qese që përdoren për mbeturina, të mbushura me lëndë narkotike të llojit Cannabis sattiva, të cilat po i transportonin në drejtim të stacionit të furgonëve të Tiranës. Pas kontrolleve në banesat e personave u gjet edhe një sasi tjetër prej 814 gramësh hashash në banesën e Fatmir Hidrit. Policia e Dibrës njofton se vazhdon puna për identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
17 Shkurt 2009